Të majtët shkarkojnë Njazi Kosovrastin, emërohet Aldrin Dalipi
Të majtët në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë votuar sot pro shkarkimit të kreut të këshillit Njazi Kosovrasti dhe zëvendësimin e tij me Aldrin Dalipin.
Ata votuan me 31 vota shkarkimin e kryetarit Njazi Kosovrasti në një mbledhje të zhvilluar në rrethana të pazakonta.
Gjatë paradites ka pasur tension para dyerve të Bashkisë së Tiranës pasi këshilltarët e majtë të cilët kishin thirrur mbledhjen e këshillit bashkiak u gjendën përpara dyerve të mbyllura.
Ndërsa kanë akuzuar kreun e Bashkisë se ka bllokuar mbledhjen, të majtët janë detyruar ta zhvillojnë mbledhjen në paradhomë.
Menjëherë pas zgjedhjes si kryetar i këshillit bashkiak nga të majtët, Aldrin Dalipi është shprehur për mediat se detyra e tij nuk është politike por qytetare.
Këshilli bashkiak është institucion kushtetues dhe nuk është në varësi së Bashkisë së Tiranës është shprehur Aldrin Dalipi.
Ndërsa Kosovrasti ka theksuar se nuk është në dijeni për shkarkimin e tij duke theksuar se do të flasë vetëm pasi të njihem me zhvillimet.
Kam qënë në mbledhjen e KQZ-së dhe nuk jam në dijeni se çafrë ka ndodhur. Do flas pasi të jem njohur me zhvillimet është shprehur ai.
Ora 11:00 Kaos në këshillin bashkiak të Tiranës
Paraditen e sotme dyert e sallës së Këshillit Bashkiak u mbyllën dhe anëtarët e majtë arritën të futen mes tensionesh në ambientet e Bashkisë.
Ata pretendonin se kishin bërë kërkesën përpara 5 ditësh për zhvillimin e kësaj mbledhjeje jashtë radhe ndërsa kanë akuzuar kryebashkiakun Basha se e ka mbyllur qëllimisht derën e sallës ku zhvillohen mbledhjet
Të majtët i bënë thirrje kryebashkiakut për të lejuar hapjen e derës së sallës së këshillit Bashkiak dhe zhvillimin e mbledhjes dhe vijimin me rendin e ditës por nuk u kthye asnjë përgjigje dhe ata u detyruan ta zhvillojnë mbledhjen në paradhomë.
Kryetari i këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi u shpreh se të majtët janë shumicë në këshillin bashkiak dhe si të tillë duhet të respektohen
Kërkoj të zbatohet ligji dhe vullneti i shumicës. Jemi përballë një fakti qesharak, janë ndërruar bravat e dyerve. Veprimi i kreut të bashkisë Lulzim Basha është qesharak prandaj i bëjmë thirrje të zbatojë ligjin. Ne nuk kemi vullnet për të bllokuar dhe nuk jemi as për konflikt politik.Kërkesa drejtuar bashkisë vjen nga 31 këshilltarë. Basha të lejojë shumicën të ushtrojë detyrën është shprehur Dalipi.
Të njëjtën linjë mbajti edhe anëtari i LSI-së Shezai Rrokaj. Nuk jemi mazhorancë e stisur por mazhorancë reale në këshillin bashkiak tha ai.