E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia Tiranë: Veprimet e disa anëtarëve të Këshillit Bashkiak në kundërshtim me ligjin

Pamvarësisht se Bashkia e Tiranës kishte njoftuar zyrtarisht se nuk ishte thirrur mbledhja e Këshillit Bashkiak, grupi i bashkuar i të majtëve është dyndur në derën e këtij institucioni me qëllim shkarkimin e kryetarit Kosovrasti dhe emërimin e socialistit Aldrin Dalipi. Për disa momente në dyert e bashkisë ka pasur një betejë deklaratash pasi këshilltarët nuk janë lejuar të futen në sallën e mbledhjeve me justifikimin zyrtar se nuk ishte lajmëruar asnjë mbledhje.

Pas 3 orësh përpjekje, këshilltarët e majtë e kanë zhvilluar mbledhjen në paradhomën e këshillit bashkiak duke shkarkuar me 31 vota Njazi Kosovrastin dhe në vend të tij kanë votëbesuar Aldrin Dalipin.

Bashkia e Tiranës nga ana e saj ka sqaruar se mbledhja nuk ishte e ligjëshme, pasi nuk ishte lajmëruar për një gjë të tillë. Sipas ligjit, këshilli bashkiak thirret nga një e treta e anëtarëve por kërkon ok-in ose të kryetarit të këtij institucioni ose të kryebashkiakut, gjë që në këtë rast nuk ka ndodhur. Megjithatë ky votim do të shqyrtohet edhe nga prefekti, Keltis Kruja, i cili do ta vlerësojë si të ligjshëm apo jo brenda 10 ditëve.

Nga ana e saj, Bashkia e Tiranës dënoi dhunën e përdorur nga disa këshilltarë ndaj institucionit të Bashkisë dhe bën të ditur se do të bëj kallëzim penal ndaj personave përgjegjës. Të gjitha veprimet dhe deklaratat e sotme të disa anëtarëve të Këshillit Bashkiak, janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe janë të motivuara nga fryma e konfliktit politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›