Evropa zdaj!
Marrëveshja e Brukselit, për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ka pasur një dramaturgji të çuditshme. Pas 19 prillit, kur dukej se kjo çështje u mbyll, kosovarëve u duhej të lavdoheshin se kanë arritur marrëveshje të mirë, në mënyrë që para opinionit vendës të duken sikur nuk kanë bërë koncesione të dhimbshme, ndërsa po e integrojnë veriun dhe Serbia, ndonëse nuk po e njeh pavarësinë e Kosovës, megjithatë po e pranon realitetin e ri. Serbët bënë të kundërtën, filluan ankesat e vajtimet, kërkuan ngushëllime e ndihmë në Moskë, Paris e gjetiu. Me këtë synonin të arrinin dy qëllime: që para opinionit të tyre të paraqiten se si kanë qenë në zor të madh dhe se heqjen dorë nga “djepi serb” nuk e kanë bërë pa dhimbje. Por, edhe të përfitonin koncesione të reja. Doli se kjo edhe u shpaguhet, madje kjo edhe i faturohet kujt tjetër pos Prishtinës. Kur dukej se kishte rënë fishkëllima e fundit e referit pas një ndeshjeje të zorshme, ndodhi e papritura e pabesueshme: serbët fituan vazhdim të lojës, e vazhdimi doli të jetë edhe më i gjatë, edhe më sfilitës. Prishtina, e papërgatitur edhe për lojën e rregullit, mori gola të tjerë në lojën shtesë. Paradokset e kësaj marrëveshjeje nuk përfundojnë këtu. Ndonëse dukej se nuk ishte mjaft e volitshme për Kosovën, për ironi, kosovarët duhej të brengoseshim edhe për atë se së paku a do ta realizonte Serbia atë për çka Daçiq e Thaçi i kishin vënë nënshkrimet. Për këtë tash nuk kanë pse të brengosen, për shkak se këtë barrë e ka marrë mbi vete zonja Merkel, e cila datën për fillimin e bisedimeve serbëve ua kushtëzoi me plotësimin më parë të marrëveshjes së Brukselit. Se çfarë është marrëveshja na mbetet të shohim gjatë realizimit të saj. Sipas të gjitha gjasave, gjendja e re do të mund të përshkruhet kështu: veriu i Kosovës do të funksionojë formalisht nën emblemën e shtetit të Kosovës, por për pushtetin qendror në Prishtinë, ajo dhe pjesët tjera të banuara me popullatë serbe, megjithatë do të jenë një tokë e pashkelur. Edita Tahiri mbase do të bënte mirë të mos thotë se nuk do të bëhen lëshime të reja, sepse kjo më shumë ngjan si kob se do të ndodhin mu ato që i mohon ajo. Së paku kështu ka ndodhur deri më tash. Pushteti kosovar na la me shije të keqe edhe për mungesë stili. Për shembull, me pak kreativitet e angazhim mbase kanë mundur të bëjnë që të mos duket sikur Daçiq po e cakton datën e zgjedhjeve në Kosovë, që kryepolici verior të jetë pak më i pranueshëm për të gjithë, apo që të mos e heqin qafe aq brutalisht ambasadorin Peci, i cili tha diçka që s’do të kish dëshirë ta dëgjonte Daçiqi, apo pse mori guximin dhe e shfrytëzoi rastin të duket më patriot se kryeministri.
Por, kjo tashmë është histori, gjërat duhet parë nga ana e mirë. Sado vetëm pritje për paradhomën e Evropës, bisedimet për Marrëveshjen për stabilizim-asocim megjithatë Kosovës ia hapin njëfarë perspektive evropiane. Për kandidaturë të vërtetë për anëtarësim, Kosova ka një pengesë të madhe: mosnjohjen e saj nga pesë shtete të BE-së. Megjithatë, duhet shpresuar, nëse jo për tjetër gjë, atëherë vetëm për shkak se alternativë tjetër as që mund të imagjinohet. Evropa zdaj, pra, siç do të thoshin sllovenët, do të duhej të jetë vizion i çdo pushteti të Kosovës, por edhe arritja në plotësimin e standardeve të kërkuara do të duhej të jetë kriter me të cilën do të duhej të matej suksesi i çdo qeverie. Do të jetë vështirë që ky pushtet, vizioni i vetëm i të cilit është mbijetesa “sot për nesër”, t’i hyhet maratonës evropiane, por edhe me këtë opozitë, partitë e të cilës me gjasë nuk kanë synime më të mëdha se sa të ruajnë feudet e veta.
E, megjithatë, një frymë evropiane duhet të fillojë të fryjë edhe në Kosovë.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”