Të ndarë edhe në festë

Në të njëjtën ditë me përvjetorin e pavarësisë, zyra e presidentit Sejdiu gjen kohë e merret me deklarata e reagime politike ndaj një kandidati për kryetar komune në Gjilan. Thaçi është i preokupuar të bëjë inventarin e sukseseve, ndërsa Haradinaj të dëshmojë armiqësinë e palëkundur ndaj PDK
Nga Armand Shkullaku
Ndarjet politike në Kosovë sa vijnë e po
thellohen dhe ato nuk bënë ndonjë përjashtim as dje, më 17 shkurt, Ditën e
dyvjetorit të Pavarësisë së vendit. Lideri i opozitës, Ramush Haradinaj nuk u
pa në sallën e Kuvendit, me gjithë ftesën e marrë, dhe, në asnjë moment,
drejtuesit politikë të të dy krahëve nuk u shfaqën së bashku në ndonjë ceremoni
publike. Shtrëngimi i duarve mes Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt mungoi
edhe në një rast solemn dhe historik siç ishte përvjetori i Pavarësisë. Me
gjithë ciklonin e letrave që ka përshirë kohët e fundit Kosovën, parashikimi
për një zbutje të klimës mes dy faktorëve kryesorë politikë në vend duket
pesimist.
Kjo ndarje e madhe, si dhe shpenzimi i energjive të shumta për protagonizëm dhe
intriga politike, po i harxhon shumë energji Kosovës në një nga momentet më
vendimtare për të ardhmen e saj. Madje më shumë se kaq, po e vë në pikëpyetje
këtë të ardhme. Politikanët në Kosovë janë më shumë të përqendruar të shndërrojnë
gjithçka në kapital politik për veten dhe partitë e tyre, sesa të shfrytëzojnë
çdo rast, siç është edhe përvjetori i Pavarësisë, për të rritur frymën e
bashkëpunimit dhe besimin e qytetarëve.
Mospjesëmarrja e Ramush Hardinajt si i ftuar në seancën e djeshme të Kuvendit,
sigurisht ishte një distancim i hapur nga ata që sot drejtojnë vendin dhe që
bëhet pikërisht në një ditë kur duhej dëshmuar e kundërta, të paktën
simbolikisht. Në një kontekst afatshkurtër duket sikur Haradinaj fiton pikë tek
militantët e AAKsë me bojkotin e tij ndaj ceremonive zyrtare, por në një
kontekst afatgjatë kjo luftë politike ka për ti lodhur qytetarët dhe ka për të
rënduar në stabilitetin politik të vendit. Nga ana tjetër, liderët e
mazhorancës, përjashto ftesën formale, krijuan të gjitha kushtet që opozita të
mbetej e margjinalizuar. Seanca e Kuvendit u shndërrua në një foltore ku
liderët e mazhorancës - Thaçi, Sejdiu dhe Krasniqi - bënë një paradë suksesesh
dhe treguan se si e kanë udhëhequr vendin nga fitorja në fitore.
Në ceremoni përvjetorësh nuk ka përse të mblidhet Kuvendi. Zakonisht,
Presidenti i vendit, që në shtetet normale simbolizon unitetin kombëtar, nga
zyra e tij u dërgon një mesazh urimi qytetarëve dhe liderët e tjerë po ashtu
zgjedhin mënyrat e tyre të përshëndetjes. Por, protagonizmi politik dhe
tendenca për të nxjerrë përfitime nga çdo rast i dhënë, bëri që qytetarët e
Kosovës të shohin diçka të veçantë, tri fjalime rresht, ku nuk munguan së
numëruari kilometrat e shtruara, shkollat e ndërtuara, zgjedhjet e suksesshme,
fitoret ndërkombëtare, etj.
Me pak fjalë, edhe një ceremoni që mund të shërbente si moment reflektimi dhe
afrimi mes palëve, u keqpërdor politikisht.
Një politikë e tillë, veç thellimit të ndarjes mes palëve, prodhon edhe
zhgënjim tek qytetarët. Kur përfitimi politik është kryefjala e çdo veprimi që
bëjnë politikanët, atëherë edhe fjalimet në Parlament, edhe lulet në varrin e
Rugovës, edhe vizitat në kullën e Jasharajve, tingëllojnë hipokrizi. Ngjajnë me
një garë, ku secili kërkon të jetë i pari për të korrur duartrokitjet e
publikut. Në fund të një gare të tillë nuk lodhen asnjëherë pjesëmarrësit në
të, por vetë publiku. Politikanët janë të aftë të harxhojnë energji pa fund për
të tilla gara, por shumë pak për punët për të cilat janë votuar dhe kanë marrë
përsipër ti kryejnë. Prandaj edhe në fund përballen me humbjen e besimit tek
publiku, i cili nuk fitohet me fjalime dhe kurora lulesh, por me vepra dhe punë
konkrete.
Integrimi i vendit në BE, është ëndrra e re e Kosovës, tha presidenti Sejdiu
në fjalimin e djeshëm në Kuvend. Por, për të shkuar drejt një ëndrre nuk
mjafton renditja e sukseseve të kaluara. Presidenti duhet ti flasë popullit
edhe për problemet që shqetësojnë vendin. Ai duhet tu kërkojë partive politike
më shumë unitet dhe frymë bashkëpunimi në emër të një qëllimi më të madh. Duhet
të çojë një mesazh shprese edhe tek ata mijëra njerëz që janë në vështirësi
ekonomike e kanë dalë në rrugë të protestojnë. Ti kërkojë Qeverisë më shumë
përkushtim dhe të tregojë se cili është projekti kombëtar për të shkuar drejt
Bashkimit Europian.
Mesazhe të tilla po mungojnë në Kosovë. Në të njëjtën ditë me përvjetorin e
pavarësisë, zyra e Presidentit Sejdiu gjen kohë e merret me deklarata e reagime
politike ndaj një kandidati për kryetar komune në Gjilan. Thaçi është i
preokupuar të bëjë inventarin e sukseseve, ndërsa Haradinaj të dëshmojë
armiqësinë e palëkundur ndaj PDKsë. Me kaq shumë energji të çuar dëm, me këtë
klimë politike dhe me humbjen e besimit të qytetarëve, ëndrra e BE rrezikon të
bëhet gjithnjë e më largët.
Kosova ka filluar të eci vetë dhe varet prej saj cilën rrugë do të marrë drejt
Brukselit. Ata që drejtojnë vendin duhet të mos mbeten peng i interesave të
vogla të momentit, por të ndjejnë dhe kuptojnë përgjegjësinë e madhe historike
që kanë. Lufta për pushtet nuk duhet të ngulfasë projektin për të ardhmen.
Shpeshherë shqiptarët e kanë humbur rrugën pikërisht në kohët më të mira për
ta. Kosova ka dy vjet shtet dhe bashkë me Shqipërinë mezi e bëjmë një shekull
histori të një shteti të pavarur.
Por, në kaq pak vjet kemi rrezikuar disa herë ekzistencën tonë, jo vetëm si
pasojë e ndërhyrjeve të jashtme, por edhe të verbërisë politike të atyre që na
kanë drejtuar. Viti 1997 në Shqipëri është treguesi më i qartë se ku mund të të
çojnë armiqësitë politike dhe energjitë e shpenzuara në drejtim të gabuar. Pas
85 vjetësh shtet, fatin e Shqipërisë e morën në dorë një administrator i huaj
dhe një forcë ushtarake shumëkombëshe. Kosova e ka një shembull që nuk duhet ta
ndjekë. /express/