E Diel, 1 Nëntor 2026

Të ndarë për riformatizim

Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë dhënë mendime të ndryshme rreth ndryshimeve që pritet të bëhen në Kabinetin e Kryeministrit Hashim Thaçi.

Zëvendëskryeministri nga radhët e PDK’së, Hajredin Kuçi, tha për BBC’në se bisedimet për ndryshime në Qeveri janë zhvilluar dhe se i mbetet Kryeministrit të Kosovës që të vendosë për kohën dhe mënyrën e ndryshimeve.

“Ka pasur bisedime të tilla. Tanimë besoj se Kryeministri bashkë me partnerët e koalicionit do të konsultohet jo vetëm për mënyrën dhe për kohën, por edhe për individët e caktuar. Nuk kemi menduar se tani është një kohë e përshtatshme, por me mbarimin e etheve zgjedhore, ta quaj kështu, do të shikojmë se si mund të rritet cilësia qeverisëse”, tha Kuçi.

Por udhëheqës të partnerit më të vogël në koalicionin qeverisës, LDK’së, thonë se nuk janë në dijeni të asnjë bisede për ndryshime brenda kabinetit qeveritar.
Zëvendëskryeministri nga radhët e LDK’së, Ramë Manaj, tha për BBC-në se megjithatë nëse shihet si e nevojshme, ndryshimet edhe mund të bëhen.

“Çështja e riformatizimit të Qeverisë ende nuk është shtruar për shqyrtim dhe për vendosje në asnjë instancë, as partiake, as atë qeveritare. Por kjo nuk do të thotë se nuk është e mundshme të bëhet atëherë kur shihet si e nevojshme, e domosdoshme dhe e dobishme”, tha Manaj.

Përplasjet e partnerëve në koalicionin qeverisës, megjithëse u tejkaluan pas krizës në dhjetorin e kaluar, nuk ndryshuan marrëdhëniet e ftohura mes tyre. Opozita në Kosovë ndërkaq i akuzoi të dyja partitë në Qeveri për, siç tha, papjekuri politike në udhëheqjen e vendit dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend, ide kjo që u kundërshtua nga koalicioni qeverisës. Udhëheqës të opozitës thanë se rifreskimet në Qeveri nuk do të ndihmojnë në rritjen e cilësisë qeverisëse, por do të zgjasin, sipas tyre, mandatin e qeverisë aktuale deri në zgjedhjet e përgjithshme të paralajmëruara për t’u mbajtur në vitin 2011.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›