E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu bisedoi me Topin dhe Berishën

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, zhvilloi sot biseda telefonike me udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Republikës së Shqipërisë, Presidentin Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha, të cilëve u shprehu shqetësimin e thellë të popullit dhe të institucioneve të Kosovës për përmbytjet e shkaktuara ditëve të fundit në disa rrethe të Shqipërisë.

Presidenti Topi dhe Kryeministri Sali Berisha, e njoftuan Presidentin Sejdiu për situatën e krijuar në zonat e përmbytura në Shqipëri. Gjatë këtyre bisedave, Presidenti Sejdiu i informoi Presidentin Topi dhe Kryeministrin Berisha se Kosova ka marrë vendim që të dërgojë në Shqipëri Njësitin e Kërkim - Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës për t’u ndihmuar zonave të përmbytura, transmeton Presidenca, nëpërmes një komunikate për shtyp.

Me këtë rast, krerët më të lartë të shtetit shqiptar e falënderuan Presidentin Sejdiu për këtë vendim, si dhe për ofertën e institucioneve të Kosovës për ndihma në varka shpëtimi dhe mjete të tjera.

Presidenti Sejdiu duke shprehur solidaritetin e tij të plotë me të goditurit e kësaj fatkeqësie natyrore, theksoi se po e ndiqte me vëmendje situatën e krijuar në Shqipëri, dhe i vlerësoi përpjekjet e autoriteteve dhe të qeverisë shqiptare për përballimin e kësaj situate të vështirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›