E Martë, 3 Nëntor 2026

Të rinj që punojnë, ata thonë se i ndihmon në profesion dhe i bën të pavarur financiarisht

Vanesa dhe Sergo janë dy të rinj të cilët kanë filluar të punojnë që në moshën 16- vjeçare. Të dy nxënës të shkollave profesionale, ata tregojnë se pas praktikës, siguruar nga shkolla kanë filluar punë me kohë të pjesshme dhe tregojnë edhe arsyet e tyre.

“Kam zgjedhur të punojë pasi edhe shkolla ime Ateleri-Turizëm ofron dhe punësimin në moshë të hershme në biznese të ndryshme. Arsye tjetër është të futem në tregun e punën sa më shpejt”, shprehet Vanesa.

“Kjo zgjedhje edhe si shkak të pasionit për kuzhinën dhe që shkolla garantonte praktika në biznese më të mira të Tiranës. Këto biznese pas praktikës, ofronin dhe punësimin. Më ka ndihmuar të jem i pavarur në aspektin financiar”, shprehet Sergo.

Dy të rinjtë thonë se sektori i turizmit në Shqipëri ka bërë përpara dhe sjell alternativa për ta, por sërish ata duan ta provojnë veten në një treg më të madh.

“Për momentin synoj për në vendin tim, por në të ardhmen mund të provoj edhe jashtë Shqipërisë si në Gjermani apo Austri”, tha Sergo.

“Shqipëria po ofron më shumë rritje në profesion, mendoj që të studioja jashtë, të marr profesionin dhe ta kthej në vendin tim”, u shpreh Vanesa.

Eksperienca në punë e këtyre të rinjve i bën ata që t’ia sugjerojnë edhe bashkëmoshatarëve.

“Sugjeroj arsimin profesional pasi të jep shumë mundësi. Ndryshon shumë në të menduarit. Është një zgjedhje e duhur”, shprehen të rinjtë.

Të mitur nga mosha 16 deri në 18 vjeç në bazë të Kodit të Punës mund të punojnë në punë të lehta që nuk dëmtojnë shëndetin e tyre dhe me orar te shkurtuar dhe vetëm pasi te kenë kryer kontrollin e plotë mjekësor.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›