E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë dhe të vjetrit e PS-së mbyllen në bunker, Edvini s’vendos dot

Kreu i PS-së është përfshirë nga paniku se po i dalin duarsh si të vjetrit e partisë, ashtu edhe të rinjtë që ka sjellë me vete. Pas Harasanit, protestat i kanë vijuar Ben Blushi e Arben Malaj, ndërkohë që Edvini ka pezulluar daljet televizive derisa të vendoset se cilët do të jenë “dëshmorët” e listës së deputetëve

TIRANE – Lëvizja më e fundit e Edi Ramës, që ka të bëjë me tentativën për prezantimin e një programi të pretenduar elektoral, i ka krijuar atij vetë, kreut të PS-ës, më shumë probleme se sa përfitime. Në kushtet kur Edi Rama ka prezantuar vetëm numra “faqesh”, “masash”, apo edhe “drejtimet themelore” në programin e tij elektoral dhe ka prezantuar zyrtarisht edhe disa nga emrat e “ekipit” të zbatimit të mundshëm të këtij programi, pjesa tjetër e “të vjetërve” në PS, që nuk e kanë gjetur veten aq vizualisht përkrah Ramës në prezantimin e programit nëpër qytete e fshatra, duke ndjerë rrezikun e shmangies nga beteja elektorale, nuk ia kanë kursyer shqetësimin e tyre edhe kreut të PS-së.
Në këto kushte Edi Rama, ka gjetur një zgjidhje të përkohshme, duke pezulluar pjesëmarrjen e drejtuesve të PS-ës, të të gjitha niveleve, nëpër debatet televizive politike, në mediat vizive.
Burime nga selia e PS-së, bëjnë të ditur se zemërimit të disa ditëve më parë të Andis Harasanit, i janë bashkëngjitur edhe emra të tjerë, si Arben Malaj e Ben Blushi. Në takimet e këtyre “të vjetërve” me Edi Ramën, mësohet se Harasani, Malaj e Blushi, “merak” të tyre kanë pasur, mungesën e hapësirave për t’u shfaqur si prezantues e mbrojtës të programit, përkrah apo edhe veç Ramës.
Ndërsa Harasani nuk kursen ankesat e justifikuara në ekrane televizionesh, Malaj, ka gjetur një zgjidhje origjinale, duke u paraprirë vizitave të Edi Ramës dhe duke u ulur në rreshtin e parë të militantëve, për arsyen e vetme, t’i tërheqë vëmendjen jo aq kryetarit sesa, të fokusohet nga ndonjë kamer televizive, për ta parë edhe anëtarët e mbështetësit e partisë, jo vendimmarrës për hartimin e listave të kandidatëve për deputetë të PS-së. Nga ana e tij, nuk dihet nëse Ben Blushi apo Arben Ahmetaj, në tentativë për t’u ndjerë edhe më të sigurt, i kanë vënë qëllim respektivisht vetes, për të “dubluar” njëri-tjetrin në takime me elektoratin në fshatrat e Korçës, si gjetje për të ngatërruar anëtarët e mbështetësit e partisë,  jo vendimmarrës për hartimin e listave të kandidatëve për deputetët PS-ës.
Përpos këtyre sforcimeve individuale, prej secilit prej të rrezikuarve si kandidatë të mundshëm të PS-ës, ata kanë gjetur edhe “kurajë”, t’ia përplasin në fytyrë Edi Ramës, xhelozinë e tyre për zgjedhjen e “të rinjve” nga ana e tij.
Në këtë përplasje me Edi Ramën, mësohet se Andis Harasani, Arben Malaj apo edhe Ben Blushi, nuk kanë lënë pa sulmuar as simbolin e “të rinjve”, Saimir Tahirin, kreun e Fondacionit “Qemal Stafa”. Sipas të zemëruarve “të vjetër”, Saimir Tahiri, i cili nuk ka munguar në prezantimin dhe mbrojtjen publike të programit elektoral, nuk është asgjë  më shumë se një i pashkolluar, që më të shumtën e herëve i ka lënë studimet e larta përgjysmë, sesa i ka mbaruar ato. Për të zemëruarit “e vjetër”, Saimir Tahiri, “ikona” e prezantimit dhe e mbrojtjes së programit elektoral të PS-së, është as më shumë e as më pak, një i padiplomuar.
I gjendur përballë këtij “reaksioni”, kreu i PS-së, Edi Rama, ka ofruar si zgjidhje të përkohshme dhe provizore, pezullimin e pjesëmarrjeve në ballafaqime publike (edhe nëpër emisione debatesh në televizione) të “të vjetërve” e “të rinjve”.
Kjo zgjidhje e Edi Ramës, nuk ka kaluar pa rënë në sy, kur nëpër emisionet e ndryshme të formatit të debateve politike, prej pak ditësh mungojnë figura drejtuesish “të rinj” apo “të vjetër”  të PS-ës, në ballafaqime t e mundshme me kundërshtarët e tyre politikë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›