E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rinjtë e Akademisë së FA dhe kadetët e Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit, stërvitje të përbashkëta taktike

Stërvitja “Eagle Strike 2026” bëri bashkë kadetët e Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit dhe studentët e vitit të tretë të Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë në një program intensiv dhjetëditor, i cili u fokusua në zhvillimin e aftësive taktike dhe forcimin e koordinimit operacional.

Përmes skenarëve realistë dhe veprimeve të përbashkëta në terren, pjesëmarrësit testuan aftësitë e tyre në situata sfiduese, duke ndërtuar besim reciprok, frymë ekipi dhe ndërveprueshmëri mes forcave aleate. 

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se stërvitja shërbeu gjithashtu për shkëmbimin e eksperiencave profesionale dhe rritjen e kapaciteteve të brezit të ri të ushtarakëve.

Studentët shqiptarë patën mundësinë të vënë në praktikë njohuritë e fituara në disiplina të ndryshme ushtarake, ndërsa kadetët amerikanë sollën përvojat e tyre, duke krijuar një mjedis të pasur për mësim të ndërsjellë. 

Ky program i përbashkët u konsiderua një dëshmi e qartë e partneritetit të ngushtë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke reflektuar angazhimin e përbashkët për forcimin e gatishmërisë dhe përgatitjen e liderëve të ardhshëm ushtarakë.

“Eagle Strike 2026” jo vetëm që rriti aftësitë profesionale të pjesëmarrësve, por edhe tregoi vendosmërinë e dy vendeve për të konsoliduar marrëdhëniet strategjike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. 

“Rreth-Greth. Pas një programi intensiv 10-ditor stërvitor, përfundoi me sukses stërvitja “Eagle Strike 2026” 🪖 me pjesëmarrjen e studentëve të vitit të tretë të Akademisë së Forcave të Armatosura dhe kadetëve të Gardës Kombëtare të Nju Xhersit. Gjatë kësaj periudhe, studentët vubë në praktikë njohuritë dhe aftësitë e tyre në disiplina të ndryshme ushtarake, duke shërbyer si një mundësi e vyer për shkëmbimin e eksperiencave dhe forcimin e marrëdhënieve mes pjesëmarrësve.”- shkruan Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA – Gjenerallejtënant Arben Kingji.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›