Të rinjtë që shpëtojnë jetë, shembulli i vullnetarëve të Kryqit të Kuq në Gjirokastër

Arjeta Nexhipaj është gjimnaziste në shkollën “Pandeli Sotiri” dhe prej një viti është bërë pjesë e Kryqit të Kuq Shqiptar, dega Gjirokastër. Në rrëfimin e saj, Arjeta tregon se si vendosi të bashkohej me nismën për të shpëtuar jetë.
“Jam bërë pjesëmarrëse e Kryqit të Kuq dhe kam mësuar si të jap ndihëm e parë. Do ta vazhdoj sepse është një punë shumë e bukur”, tregon ajo.
Një tjetër shembull frymëzues është Liksjana Lulo, e cila është pjesë e këtij institucioni prej afro pesë vitesh. Ajo tregon se ka ndërhyrë në shumë situata emergjente ndër vite, dhe tashmë po ndan njohuritë dhe përvojën e saj me vullnetarët e rinj.
“Duke qenë që kam shumë vite në Kryqin e Kuq, ndihem e gatshme për të dhënë disa leksione te bashkëmoshatarët, qytetarët, duke bërë aktivitete, duke shpërndarë fletëpalosje”, u shpreh Liksjana.
Kryqi i Kuq Shqiptar, dega Gjirokastër, ka një histori të gjatë veprimi në këtë qytet, duke tërhequr gjithnjë e më shumë të rinj që angazhohen vullnetarisht. Arjeta dhe Liksjana përfaqësojnë shembullin që të gjithë të rinjtë duhet të ndjekin, për t’u bërë pjesë e organizatave humanitare që kanë për qëllim kryesor shpëtimin e jetëve njerëzore.
/rtsh.al/