Qytetarët e Kosovës pa viza në Malajzi, mund të udhëtojnë lirshëm për qëndrime deri në 30 ditë

Qeveria e Malajzisë ka vendosur heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës për qëndrime që nuk janë më të gjata se 30 ditë.
Lëvizja u përshëndet nga presidentja Vjosa Osmani, e cila në një postim në rrjetin social “X” bëri me dije se javën e ardhshme do të jetë në vendin e Azisë Juglindore, kur edhe do të hapet ambasada e Kosovës në kryeqytetin Kuala-Lumpur.
“Ky vendim i rëndësishëm është një shenjë e qartë se lidhjet mes dy vendeve tona po rriten fuqishëm. Iu shpreh falënderimet e mia të sinqerta institucioneve të Malajzisë për këtë vendim domethënës,” shkroi znj. Osmani në postimin e saj.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, në tetor të po të njëjtit vit, Malajzia u bë shteti i 52-të në botë që e njohu atë si shtet të pavarur dhe sovran.
Me vendimin më të fundit të qeverisë së malajziane, shteti aziatik bëhet vendi i 53-të ku qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm pa regjim vizash.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/