E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rinjtë shqiptarë ndër më të varfrit në Europë në fuqi blerëse, Maqedonia e Veriut e ndjek pas

Pas disa refuzimeve të njëpasnjëshme, kryeministri Edi Rama ka ftuar sërish ditën e sotme protestuesit për dialog.
Edhe sot, para godinës së Kryeministrisë, është vendosur sofra e gurtë, me disa ‘ftesa’ në të cilat shkruhet ‘dialog’. Njësoj si dje, edhe sot mungojnë karriget rreth sofrës, të cilat ditët e tjera janë djegur e thyer vazhdimisht nga protestuesit. Ditën e djeshme, në bulevardin Dëshmorët e Kombit pati një tkurrje të numrit të protestuesve dhe nuk u shënuan përplasje me efektivët e Policisë.

Një pjesë e protestave janë shndërruar në demonstrata më të gjera kundër qeverisë. Këto zhvillime e bëjnë edhe më domethënës krahasimin e të ardhurave të të rinjve shqiptarë me ato të bashkëmoshatarëve europianë.
Protestat e fundit në Europë kanë rikthyer vëmendjen te gjendja ekonomike e brezit të ri.
Eksperti i së drejtës europiane Alberto Alemanno thekson se protestat nuk mund të trajtohen thjesht si një revoltë e adoleshentëve, pasi ato përfshijnë shqetësime dhe kërkesa të ndryshme ekonomike e shoqërore.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në fund të renditjes
Treguesi i përdorur në analizë është e ardhura mediane e disponueshme e ekuivalentuar, që përfaqëson të ardhurat e një familjeje pas tatimeve dhe zbritjeve të tjera, të përshtatura sipas numrit dhe përbërjes së anëtarëve të saj. Në këtë tregues përfshihen edhe përfitimet sociale.
Të dhënat nuk tregojnë se sa fitojnë personalisht të rinjtë, por nivelin e të ardhurave të familjeve ku ata jetojnë.

Zvicra kryeson renditjen europiane, me të ardhura mediane prej 52,206 eurosh në vit për familjet e të rinjve 18–24 vjeç. Ajo ndiqet nga Luksemburgu me 43,028 euro dhe Austria me 37,299 euro.
Ndër ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Europian, Gjermania regjistron nivelin më të lartë, me 26,330 euro. Italia, me 20,315 euro, dhe Spanja, me 19,338 euro, mbeten nën mesataren e BE-së.

Franca, ku protestat e studentëve dhe të rinjve kanë qenë ndër më të dukshmet, renditet e 11-ta ndër 34 vendet e analizuara, me të ardhura mediane prej 23,850 eurosh, mbi mesataren europiane.
Në fund të renditjes janë Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Turqia, përkatësisht me 4,640, 5,736 dhe 5,987 euro në vit.

Nën gjysmën e mesatares europiane renditen edhe Bullgaria, me 8,680 euro, Hungaria me 8,576 euro, Serbia me 7,754 euro dhe Rumania me 7,237 euro.
Të ardhurat nuk tregojnë të gjithë realitetin
Ekspertët paralajmërojnë se të ardhurat e familjeve nuk japin domosdoshmërisht një panoramë të plotë të gjendjes ekonomike të të rinjve.

Anne Brunner, drejtuese e studimeve në Observatoire des inégalités në Francë, shpjegon se grupmosha 18–24 vjeç përfshin kategori të ndryshme, nga studentët që jetojnë me prindërit deri te të rinjtë që kanë hyrë në tregun e punës, shpesh me kualifikime të kufizuara dhe në kushte punësimi të pasigurta.
Në rastin e Francës, treguesi nuk përfshin studentët që jetojnë në banesa kolektive, si konviktet universitare.

Edhe Forumi Europian i Rinisë vëren se të ardhurat mund të krijojnë një perceptim të gabuar të mirëqenies. Në disa vende, të rinjtë rezultojnë statistikisht më mirë sepse vazhdojnë të jetojnë me prindërit dhe përfitojnë nga të ardhurat e përbashkëta familjare.
Por kjo mund të fshehë vështirësinë e tyre për të siguruar një banesë, për të përballuar qiranë apo për të ndërtuar një jetë të pavarur.

Të rinjtë kanë të ardhura më të ulëta se pjesa tjetër e popullsisë.
Sipas analizës së Euronews, në 28 nga 34 vendet e përfshira, të rinjtë jetojnë në familje me të ardhura mediane më të ulëta se ato të popullsisë në tërësi.
Në Bashkimin Europian, të ardhurat e familjeve të të rinjve përfaqësojnë mesatarisht 93.6% të nivelit të të ardhurave mediane të gjithë popullsisë, përkatësisht 21,482 euro kundrejt 22,939 eurove.

Në Francë, raporti është 90.1%, me një diferencë prej 2,609 eurosh në vit.
Finlanda regjistron hendekun më të madh. Familjet e të rinjve kanë të ardhura mediane prej 22,277 eurosh, kundrejt 29,740 eurove për gjithë popullsinë, ose vetëm 74.9% të nivelit kombëtar.
Pas saj renditen Danimarka, me 78.3%, Norvegjia me 82.7%, Luksemburgu me 86% dhe Suedia me 88.2%.

Megjithatë, sipas ekspertëve, kjo diferencë në vendet nordike lidhet pjesërisht me faktin se të rinjtë largohen më herët nga banesa e prindërve. Të ardhurat e tyre maten më shpesh në mënyrë të pavarur, duke krijuar një hendek më të madh statistikor me mesataren kombëtare.

Në gjashtë vende europiane, të rinjtë rezultojnë me të ardhura familjare më të larta se mediana e popullsisë. Kroacia kryeson me 105.7%, e ndjekur nga Malta me 105.5% dhe Sllovenia me 105.4%. Lituania dhe Austria arrijnë në 102.1%, ndërsa Zvicra në 100.5%.

Shqipëria e fundit kur të ardhurat maten sipas fuqisë blerëse
Diferencat e çmimeve ndërmjet vendeve ndryshojnë krahasimin. Kur të ardhurat maten sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS), që merr parasysh ndryshimet në nivelet e çmimeve, renditja pëson ndryshime.
Austria kalon në krye, me 33,052 PPS, e ndjekur nga Luksemburgu me 32,391 dhe Zvicra me 29,989.

Franca renditet e 13-ta, me 21,446 PPS, pak mbi mesataren e Bashkimit Europian. Gjermania ka 24,237 PPS, Spanja 21,272 dhe Italia 20,883. Shqipëria renditet e fundit ndër vendet e përmendura në këtë krahasim, me 8,175 PPS, pas Maqedonisë së Veriut me 8,994 dhe Malit të Zi me 9,955 PPS.
Kjo tregon se edhe pasi merren parasysh diferencat në nivelin e çmimeve, fuqia blerëse e familjeve të të rinjve shqiptarë mbetet ndër më të ulëtat në Europë.

Forumi Europian i Rinisë thekson se vlerësimi i mirëqenies së të rinjve duhet të shkojë përtej të ardhurave monetare. Përballueshmëria e banesave, cilësia e shërbimeve publike, arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale përcaktojnë në një masë të madhe se çfarë niveli jetese mund të sigurojë një familje me të ardhurat që disponon./Monitor

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›