“Të ruhen rrënojat”, Lubonja për punimet në Spaç: Disa shenja nuk mund të fshihen për një film

Ndërhyrjet e fundit me punime në burgun e Spaçit kanë sjellë reagime të ndryshme. Në emisionin “Një Shqipëri”, me autor dhe drejtues Mentor Nazarkon, për këtë çështje foli Fatos Lubonja, publicist dhe ish-i burgosur politik në Spaç.
Lubonja theksoi se vizioni i tij është ai i ruajtjes së rrënojave, pasi në këtë vend ka shenja të historisë që nuk mund të fshihen në funksion të një filmi. Ai solli në vëmendje ndryshimet që ka pësuar Spaçi në periudha të ndryshme.
“Unë vij nga kjo ndjeshmëri dhe mendoj se ky debat është i ngushtë, por në thelb përmban çështje të mëdha për shoqërinë shqiptare. Një prej tyre është pse Spaçi u rrënua në këtë mënyrë. Jemi të gjithë përgjegjës. Unë ngre pyetjen: Si është e mundur? Kam disa argumente. Spaçi ka pasur shumë faza dhe ka ndryshuar ndjeshëm me kalimin e kohës. Ndërtesa e kuqe nuk ka ekzistuar gjithmonë. Në vitin 1973, Spaçi kishte vetëm ndërtesën e kuqe dhe tarracën. Po të shikosh sot, nuk ka më parulla të shkruara më vonë. Revolta e Spaçit e bën të rëndësishme birucat. Kanë qenë katër biruca në një korridor të ngushtë. Pal Zefi ishte në njërën prej tyre, pasi nuk pranonte të dilte në punë. Kur shkuan ta merrnin me dhunë për ta nxjerrë në tarracë, ndodhi ajo që dihet. Këto biruca janë të rëndësishme, sepse prej aty u morën dhe u pushkatuan të burgosurit. Sot ato janë shkatërruar dhe ndërtimi aktual nuk ka më lidhje me atë të vitit 1973. Unë do të doja të rikrijoja atmosferën e birucave, tarracën, shtegun ku ngjiteshin të burgosurit për punë, por këto gjëra nuk mund të bëhen më. Vizioni im mbetet ai i ruajtjes së rrënojave. Megjithatë, historia mund të kujtohet përmes krijimit të një muzeu, ku teknologjia moderne do t’u mundësojë të gjithëve të shohin dhe të përjetojnë atë që ndodhi. Ka disa shenja të historisë që nuk mund të fshihen për hir të një filmi”, tha Lubonja.
/rtsh.al/