E Diel, 1 Nëntor 2026

Të shtëna me armë në një shkollë në SHBA, 3 fëmijë dhe 1 mësues të vrarë! Sulmuesi eliminohet nga një kalimtar

Një 16-vjeçar ka qëlluar për vdekje tre fëmijë dhe një mësues në një shkollë fillore në shtetin amerikan të Oregonit, përpara se të vritej nga një kalimtar i rastit, tha policia.

I dyshuari, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, hyri me forcë në shkollën fillore Silver Rail në qytetin e Bend të enjten pasdite duke qëlluar drejt dyerve të mbyllura, tha shefi i policisë së Bend, Mike Krantz.

Adoleshenti u qëllua për vdekje nga një anëtar i komunitetit i cili “e ndoqi atë në shkollë dhe u përlesh me të”, tha Krantz.

Tre fëmijët e vrarë ishin të moshës pesë, tetë dhe 11 vjeç. Një shtatëvjeçar dhe një mësues 54-vjeçar u dërguan në spital në gjendje kritike, tha Krantz. Nuk është e qartë nëse sulmuesi kishte ndonjë lidhje me shkollën.

I dyshuari u qëllua për vdekje pak çaste pasi forcat lokale të rendit mbërritën në vendngjarje.

Policia tha se sulmuesi ishte një djalë 16-vjeçar vendas, por nuk dhanë detaje të mëtejshme rreth tij ose identitetit të viktimave.

Policia u njoftua për një person aktiv me armë në shkollën fillore Silver Rail në orën 12:59 sipas kohës lokale, u tha gazetarëve zëdhënësja e Departamentit të Policisë së Bend, Sheila Miller.

Telefonata e parë erdhi nga një person i cili tha se një i dyshuar i panjohur po qëllonte në makinën e tyre me një armë të gjatë, tha policia. Fotot e publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë një kamion të kuq me vrima plumbash.

Një kalimtar i rastësishëm pa të shtënat të fillonin, e ndoqi sulmuesin brenda në shkollë dhe e qëlloi për vdekje, tha policia.

Tre minuta më vonë, oficerët mbërritën fillimisht në vendngjarje. Ata konfirmuan se sulmuesi ishte vrarë dhe më pas kontrolluan shkollën.

Shkollat ​​në Bend janë mbyllur të premten. Zyrtarët thanë se komunitetit i duhet kohë për t’u rikuperuar.

Rreth 450 fëmijë ndjekin shkollën fillore Silver Rail, e cila ka më shumë se 40 anëtarë të rritur të stafit, tha policia.

Sipas Bazës së të Dhënave të të shtënave në shkollat ​​K-12, pati 235 incidente me të shtëna në shkollat ​​amerikane vitin e kaluar dhe të paktën 140 deri më tani këtë vit.

The post Të shtëna me armë në një shkollë në SHBA, 3 fëmijë dhe 1 mësues të vrarë! Sulmuesi eliminohet nga një kalimtar appeared first on Euronews Albania.

Burimi: Botë

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›