E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të shtëna me armë zjarri në Gjilan, tre viktima e dy të plagosur, tre të dyshuar në arrati

Tre persona janë vrarë dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri mesditën e kësaj të diele (10 gusht) në Gjilan.

Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Agron Rukiqi tha se një person humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë u raportuan fillimisht të plagosur, por fatkeqësisht nuk mundën t’i shpëtonin plagëve të marra duke e çuar në tre numrin e viktimave.

Ndërkohë, njëri prej të plagosurve po trajtohet në spital për plagë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër ka marrë plagë që nuk kanë të bëjnë me armë zjarri, tregoi Rukiqi, por pa sqaruar më tej mbi rrethanat e ngjarjes.

Policia e Kosovës tha se është në kërkim të tre personave të dyshuar për ngjarjen: Mefail Shkodra, dhe dy djemtë e tij, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra. Ajo ka publikuar edhe fotografitë e tyre në rrjetet sociale, duke i kërkuar ndihmë qytetarëve për kapjen e tyre. Motivet e kësaj ngjarje janë ende të paqarta.

“Drejtoria Rajonale në Gjilan kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacione për vendndodhjen e personave në fotot e bashkëngjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’, e-mail: info@kosovopolice.com, si dhe në numrat kujdestarë: 192; 038 508 07001”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›