Kurti: Ofruam dy kompromise për konstituimin e Kuvendit, opozita nuk tregoi gadishmëri

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ka bërë dy oferta kompromisi për të mundësuar konstituimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë, por opozita nuk ka treguar gatishmëri.
Kurti theksoi se këto kompromise ishin në përputhje me aktgjykimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte theksuar se marrëveshjet politike duhet të arrihen ndërmjet grupeve parlamentare.
“Ne kemi ofruar dy kompromise, i pari ka qenë që në rastin e votimit të fshehtë, nëse nuk zgjidhet me të parin kandidatja Albulena Haxhiu, atëherë do të sjellim emër tjetër. Kompromisi i dytë ka qenë që të merremi vesh për paketën ku bën pjesë kryetari i Kuvendit, nënkryetarët dhe pastaj të kthehemi te votimi i hapur. Ne kemi bërë hapa, nuk ka pasur hapa nga pala tjetër dhe të mos harrojmë që Gjykata Kushtetuese kur me aktgjykimin paraprak na pati thënë që me pikën e veçantë se marrëveshjet politike duhet të arrihen ndërmjet grupeve parlamentare, sepse mosmarrëveshjet nuk i zgjidh gjykata, menjëherë partitë opozitare dërguan sërish lëndë”, tha Kurti.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet sot të sqarojë se si duhet vepruar për konstituimin e Kuvendit, pasi deputetët e zgjedhur kanë dështuar 54 herë ta formojnë atë. Afati 30-ditor i vendosur nga Kushtetuesja skadoi më 26 korrik.
/rtsh.al/