Të shtëna me armë zjarri te kryqëzimi i Bathores, plagoset një 46-vjeçar

Një 46-vjeçar ka mbetur i plagosur mbrëmjen e kësaj të enjte (2 nëntor), pasi ndaj tij është qëlluar me armë zjarri. Ngjarja u regjistrua te kryqëzimi i Bathores rreth orës 19:15, ku sipas policisë ka mbetur i plagosur Agim Hida.
Ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ku dy persona të paidentifikuar, të cilët lëviznin me motor, kanë qëlluar në drejtim të Hidës. Për pasojë, ky i fundit ka marrë një plagë në këmbë, ndërsa është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autorët nuk janë identifikuar ende, teksa Policia njofton se është rrethuar zona, si dhe janë ngritur pika kontrolli.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
/rtsh.al/