Konflikti te “Kepi i Rodonit”, detyrim paraqitje për ish-deputetin Mark Frroku

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën “detyrim paraqitje” për 8 të arrestuarit në konfliktin për pronat në “Kepin e Rodonit”, përfshirë edhe ish-deputetin Mark Frroku.
Prokurori Gëzim Veizi kërkoi që të konsiderohej i ligjshëm arrestimi dhe kërkoi si masë sigurie detyrim paraqitje për shtetasit Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka (banorë të zonës), si dhe për Mark Frrokun, Antonio Lazari, Martin Lazari dhe Pal Doda (përfaqësues të kompanisë të pajtuar nga Kisha Françeskane për kryerjen e rrethimit të parcelës së tokës.
Prokurori kërkoi arrest në burg edhe për Besnik Tomën, shoferin dhe truprojën e ish-deputetit, i cili dyshohet se qëlloi me pistoletë gjatë konfliktit dhe ndodhet në arrati.
Kërkesa u pranua edhe nga gjyqtarja Entela Shedula.
Ish-deputeti Frroku u prangos së bashku me 7 personat e tjerë pas sherrit ku sipas banorëve të zonës pati dhe të shtëna me armë zjarri, ndërsa policia gjeti një gëzhojë në vendngjarje.
Pavarësisht se blutë kanë administruar pamje filmike ku dokumentohen veprimet e dhunës, Frroku u ka tha hetuesve se nuk dinte asgjë rreth konfliktit, ndërsa praninë e tij në zonë e justifikoi si ndërtues i murit, i pajtuar nga përfaqësuesit e kishës.
Gazetare: Heriselda Dyrmishi
/rtsh.al/