E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Të uritur, të kërcënuar dhe të keqtrajtuar”, prindërit e pengjeve të liruar nga Hamasi japin detaje të sprovës

Prindërit e katër pengjeve izraelite të liruara nga Hamasi së fundmi, i kanë thënë BBC-së se vajzat e tyre u keqtrajtuan, ishin të uritura dhe ishin kërcënuar nga burra të armatosur, të cilët i kishin detyruar të gatuanin dhe të pastronin.

Ata treguan se si pengjet mbaheshin në tunele dhe ndërtesa nëntokësore, ishin dëshmitarë të abuzimit fizik dhe u detyruan të merrnin pjesë në video propagandistike të Hamasit.

Ata thanë se gratë gjetën forcë duke ndarë histori, duke vizatuar dhe duke mbajtur ditare.

Asnjë nga gratë nuk ka dhënë intervista për media që nga lirimi i tyre dhe prindërit e tyre thonë se detajet e plota të asaj që kanë duruar do të dalin së shpejti në dritë.

Ka edhe gjëra për të cilat ata nuk mund të flasin për shkak të frikës se mund të rrezikojnë pengjet ende në Gaza.

Tre nga katër gratë, prindërit e të cilave folën për BBC-në ishin ushtarake të rrëmbyera nga Hamasi nga baza ushtarake Nahal Oz pranë Gazës më 7 tetor 2023.

Qasja e pengjeve në ushqim dhe trajtimi i tyre nga rojet meshkuj ndryshonte gjatë 15 muajve që ata ishin mbajtur, thanë prindërit e tyre. Ata u zhvendosën midis vendeve, duke parë rrallë rrezet e diellit.

“Disa nga vendet kishin ushqim të mirë, disa kishin “ushqim shumë të keq… ata thjesht u përpoqën të mbijetonin”, tha Shlomi Berger, babai i Agam Berger, 20 vjeç.

“Ata [dhe rrëmbyesit e tyre] duhej të iknin nga një vend në tjetrin sepse janë në një zonë lufte atje. Ishte shumë e rrezikshme të qëndroje atje,” tha Orly Gilboa, vajza e të cilës, Daniella u rrëmbye gjithashtu nga baza.

Kur Daniella pa lirimin e tre pengjeve meshkuj javën e kaluar, të cilët dolën të dobët dhe të zhveshur, ajo i tha nënës së saj: “Nëse do të isha liruar dy muaj më parë, me siguri do të isha dukur si ata”.

“Ajo u dobësua, humbi shumë peshë gjatë robërisë. Por në dy muajt e fundit atyre iu dha shumë ushqim për të shtuar peshë,” thotë zonja Gilboa.

Prindër të tjerë gjithashtu kanë raportuar humbje të konsiderueshme në peshë. Vajza e Meirav Leshem Gonen u mor nga Hamasi nga festivali muzikor Nova.

Romi, 24 vjeç, u lirua në javën e parë të armëpushimit në janar, ajo kishte humbur “20% të peshës së saj”, thotë nëna e saj.

Zonja Gilboa thotë se gjëja më e vështirë që ajo duroi ishte të shihte një video që tregonte se vajza e saj ishte vrarë.

“Unë mendoj se të gjithë ata që e panë e besuan, por unë thjesht vazhdova t’i thosha vetes se nuk mund të jetë,” tha ajo për BBC.

Lufta u shkaktua nga sulmi i paprecedentë i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, kur persona të armatosur vranë rreth 1200 njerëz dhe morën peng 251 të tjerë.

Më shumë se 48,230 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të territorit të Hamasit. Rreth dy të tretat e ndërtesave të Gazës janë shkatërruar ose dëmtuar, vlerëson OKB.

Deri më tani, 16 pengje izraelite dhe pesë tajlandeze janë shkëmbyer me më shumë se 600 të burgosur palestinezë të mbajtur në Izrael sipas marrëveshjes së armëpushimit që filloi më 19 janar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›