Të verbërit: Gjykatat të ndalin pengesat artificiale për paditë tona
Gjirokastër- Shoqata e të Verbërve i ka kërkuar gjykatave që të mos krijojnë vështirësi artificiale në gjykimin e padive të tyre.
Kreu i shoqatës Sinan Tafaj tha nga Gjirokastra se të verbërit kërkojnë shlyerjen e detyrimeve të shkaktuara nga mosindeksimi i pagesës për shkak të verbërisë prej vitit 2005 deri në vitin 2010.
Kjo mendohet se ka shkaktuar një dëm për çdo të verbër rreth 1 milionë lekë të vjetra.
Ne shprehim shqetësimin tonë për faktin se Gjykata e rrethit gjyqësor Gjirokastër nuk ka marrë në konsideratë kërkesën tonë për ti shqyrtuar si një cështje të bashkuar të gjitha paditë e ngritura ndaj organeve të pushtetit vendor në Gjirokastër pasi në bazë të nenit 159 të Kodit të procedurës Civile kjo cështje duhet gjykuar si e plotë pasi është i njëjti objekt gjykimi dhe është i njëjti paditës që është Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë. Kjo Gjykatë e ka ndarë në 13 subjekte 11 komuna dhe 2 bashki duke na shkaktuar probleme. Gjykata në mënyrë artificiale ka krijuar vështirësi duke na rritur koston finaciare, duke na çuar në gjykime të pafundme . 13 seanca të stërsgjatura do të kërkojnë 13 avokatë dhe 13 ekspertiza finaciare dhe do të na cojnë drejt pamundësisë për të kërkuar të drejtën tonë. Qendrimi i gjykatës së Gjirokastrës është dashakeq dhe sjelljet e tyre nuk kanë qenë korrekte duke na nxjerrë nga Gjykata në mënyrë jo normale. Ne i kemi kërkuar presidentit dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë të inspektojë gjykimin formal dhe jo përmbajtësor ndaj kësaj turpe, -tha Tafaj, i cili ishte i pranishëm për të marrë pjesë në procesin gjyqësor të çelur në rang vendi mbi kërkesat e të vërbërve ndaj organeve të pushtetit vendor.
Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë ka ngritur padi kundër institucioneve të pushtetit vendor për mosshlyerjen e detyrimeve rregullisht që nga viti 2005 deri në 2010.