E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vërtetat e pathëna shndërrohen në helme të tmerrshme

Kryeministri ende në fuqi, Berisha, kërcënoi hapur opozitën se më në fund do të bënte transparencën më të madhe të "arkivës së krimit". Kujt ia hedh fjalën Kryeministri?

Përse bëhet fjalë? Vërtet Berisha ka në dorë, sikundër deklaroi, dokumente, fotografi, filma komprometues apo ky është vetëm një blof të cilin bixhozçiu i politikës Berisha, që në fakt nuk luan poker, e njeh më mirë se çdo politikan tjetër që mund të luajë poker?

Sido që të jetë e vërteta, opozita duhet të ndërtojë strategjinë e vet të qëndrimit në mbështetje të së vërtetës. Opozita ka detyrim të ecë me guxim përpara për të imponuar zbardhjen e të gjitha të vërtetave korruptive tani. Të imponojë "orën e transparencës së madhe". Nëse Berisha e përdor këtë thirrje si shantazh, ka ardhur vërtet ora që opozita të tregojë duart, dhe nëse ato janë të pastra, po me ato duar t‘ia rrëmbejë Kryeministrit kamxhikun e shantazhit, këtë kryearmë të luftës së tij për pushtet.

Nuk mund të tolerohet që Berisha të përdorë qoftë edhe mëkatet në radhët e lidershipit të opozitës, për të fshehur mëkatet e qeverisjes së tij. Këtë nuk mund ta lejojë më as publiku. Sepse të vërtetat e pathëna shndërrohen në helme të tmerrshme, në radhë të parë për publikun dhe interesat e tij. Ndërsa për ata që i shndërrojnë këto të vërteta në sekrete, i përdorin më pas si armë të një lufte të fëlliqur për pushtet të fëlliqur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›