Banda e Lushnjës, avokatët: Të largohet trupi gjykues
Shkak i përplasjes u bënë dëshmitë e kushërinjve të Artur Dajës
TIRANË- Avokatët e bandës së Lushnjës bojkotojnë sallën e gjyqit në mënyrë demonstrative, duke kërkuar përjashtimin e trupit gjykues. Ishte avokati Vladimir Meçe, i cili e zgjodhi i pari këtë rrugë duke u mbështetur më pas edhe nga katër kolegët e tij, të cilët njëzëri protestuan në sallën e gjyqit, në lidhje me mënyrën e zhvillimit të këtij procesi gjyqësor nga pesëshja gjykuese e Gjykatës së Krimeve të Rënda.Shkak i këtij debati ka qenë kërkesa e avokatit Meçe, për përjashtimin e trupit gjykues pasi pretendoi për njëanshmëri të shqyrtimit të këtij procesi gjyqësor. Gjithçka nisi që në fillim të seancës, kur gjykata pranoi kërkesën e prokurorëve të çështjes të lexojnë dëshmitë e 5 personave në cilësinë e dëshmitarëve, të cilët për arsye sigurie prej vitesh ndodhen në Greqi, dëshmitë e të cilëve ishin marrë brenda ambienteve të Ambasadës shqiptare në shtetin fqinj. Avokatët kërkuan të mos pranohet kjo kërkesë e prokurorisë, pasi njëri prej dëshmitarëve, shtetasi Gramoz Selmani, ndodhet në kërkim nga autoritetet shqiptare për “vrasje” dhe nuk mund t’i besohej thënieve të tij, si dhe dëshmive të dy kushërinjve të parë të rivalit të vrarë nga Aldo Bare, Artur Daja, pasi janë marrë nën presion. “Ata duhet të thirren në gjykatë, për të dhënë dëshminë e tyre”,-tha avokati Meçe. Kjo kërkesë u hodh poshtë nga kryetarja e trupit gjykues, çka solli edhe reagimin e avokatit mbrojtës, i cili kërkoi një orë kohë për përpilimin e një kërkese të re për përjashtimin e trupit gjykues. Por togat e zeza i ofruan 20 minuta kohë për të përpiluar këtë kërkesë. Pas 20 minutash, togat e zeza u kthyen në sallë, ku avokati Meçe u pyet me ironi: “në çfarë faqe jeni”, pyetje kjo që solli rrjedhimisht acarimin e Meçes dhe bojkotimin e sallës së gjyqit prej tij. Me largimin e Meçes, nga salla e gjyqit edhe katër avokatët e tjerë dhe të pandehurit që ndodheshin në sallën e gjyqit u larguan, duke bojkotuar kështu në shenjë proteste provokimet dhe talljet sipas avokatëve që i bëhen atyre nga trupi gjykues. Deri më sot janë zhvilluar 46 seanca për të pandehurit e bandës së Lushnjës, dhe ende nuk është bërë e mundur marrja në pyetje e dëshmitarëve të akuzës, që gjykata kërkoi dje nga policia të sjellin me forcë 11 prej tyre që refuzojnë të paraqiten.