E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vetëm në skenë

 

Festivali

"Legjenda e pianistit" hapi mbrëmë edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Korçë. Janë 10 artistë nga vendi dhe bota që do të performojnë në pikat turistike të Korçës përgjatë pesë ditëve në "Albamono 08". Organizatorët e këtij festivali, drejtori artistik Dhimitër Orgocka, menaxheri Edmond Xhumari, si dhe pjesëtarë të jurisë, bënë të ditur dje në një konferencë për shtyp se "ky aktivitet skenik që do të vazhdojë deri në 26 maj do të shpalosë vlera të vërteta artistike, si dhe do të nxisë zhvillimin e turizmit kulturor në rajonin e Korçës". Sipas Orgockës, pjesët teatrore janë programuar të shfaqen edhe në Dardhë, Voskopojë, si dhe në Maliq e Pogradec, me qëllim që artistët e huaj, pjesëmarrës në këtë aktivitet të njihen me vlerat kulturore dhe historike të kësaj zone. "Edicioni i tretë i këtij festivali shënon një arritje nga vitet e mëparshme për nga gjeografia e aktorëve pjesëmarrës", cilësoi regjisori Orgocka. Në këtë edicion do të marrin pjesë aktorë vendas, nga Kosova, por edhe nga Gjermania, Rusia, Polonia, Armenia, etj. Festivali u hap mbrëmë në sallën e teatrit "Andon.Z.Çajupi" me monodramën "Legjenda e pianistit" nën interpretimin e aktorit shqiptar Dritan Boriçi dhe pianistit Genc Shahini. Në ditët në vijim do të shfaqen nga dy monodrama sipas programit dhe zhvendosjes së aktivitetit në Dardhë, Voskopojë, Maliq e Pogradec. Në përfunndim të këtij aktiviteti artistik që organizohet për të tretin vit me radhë në Korçë, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, do të ndahen 3 çmime nga një juri e drejtuar nga gjermania Nina Mazur, Alfred Bualioti dhe ukrainasja Valerya Kozachevska.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›