Olta Boka sfidon sot Beogradin
Do të hyjmë, apo jo në finale. Sot është prova e madhe. Në stadiumin "Beogradcka Arena", në Beograd zhvillohet sot në mbrëmje (ora 21.00) nata e dytë gjysmëfinale. Shqipëria konkurron e gjashta me këngën "Zemrën e lamë peng" të kompozuar nga Adrian Hila, me tekst të Pandi Laços. Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit e gjithë kënga do të këndohet shqip. Dje është zhvilluar prova gjenerale, ku 19 gjysmëfinalistët e dytë dhe prezantuesit e festivalit Jovana Jankovi dhe eljko Joksimovi, kaluan gjithë programin e natës së sotme. Pas Irlandës, Suedisë, Turqisë, Norvegjisë dhe Lituanisë, u ngjit në skenë përfaqësuesja shqiptare, Olta Boka, me "Zemrën e lamë peng". Në faqen zyrtare të festivalit është vlerësuar pozitivisht performanca e këngëtares, e cila "ka mundur të kontrollojë nervat e saj, përkundër herës së parë që u ngjit në skenë, ku shfaqi shenja të dukshme ankthi dhe lodhjeje". Deri më sot komentet për këngëtaren, por edhe për performancën shqiptare në përgjithësi kanë qenë pozitive. Është vlerësuar zëri i Oltës, muzika e këngës (teksti padyshim nuk komentohet), por edhe performanca skenike dhe kostumet. "Zemrën e lamë peng" është një baladë dashurie dhe Olta e prezanton shumë mirë. Olta punon shumë mirë me kamerën dhe arrin të sjellë emocion në skenë", - komentohet. Veshja e këngëtares është frymëzuar nga motive popullore. Më shumë se një pelerinë (siç është përshkruar në faqen e festivalit), ajo ngjan me një xhubletë, të dekoruar me motive bardhë e zi. Ndërsa tre shoqëruesit e saj do të jenë të veshur në të bardha. Gjatë ditëve të qëndrimit të saj në Beograd, Olta Boka ka dhënë edhe intervista, një ndër to për Eurovision TV. Një intervistë e thjeshtë, ku adoleshentja tregon për shkollën, kohën e lirë dhe pa dyshim për Festivalin Evropian. Për vajzën e "Gjeniut të Vogël", fitorja e vendit të parë në edicionin e 46-të të Festivalit të RTSH-së është pa dyshim ngjarja më e madhe në "karrierën" e saj të shkurtër muzikore, gjë që i siguroi edhe biletën për në Beograd. Olta tregon se një gjë të tillë ajo as që e kishte shkuar ndër mend, duke marrë parasysh që në festival konkurronin emrat më të mëdhej të muzikës së lehtë shqiptare. Dhe pa dyshim kjo ishte një surprizë e madhe. Thënë të drejtën jo vetëm për 16-vjeçaren, por edhe për autorët e këngës e shumë të tjerë. Boka tregon se po mundohet të marrë sa të mundet nga ditët që po kalon në Beograd. "Po punojmë shumë në skenë, por po mundohem që edhe të argëtohem", - thotë ajo. Ndërsa për provën e parë në skenë, ajo thotë se ishte e lodhur dhe pak nervoze, për shkak të madhësisë së skenës. "Në këtë pikë jam në disavantazh me shumë vende të tjera konkurruese", - thotë ajo. Olta nuk e di në do të mund të hyjë në finale e në do të mundet të bëjë një figurë më të mirë se pararendësit e saj. Çka ajo ka në dorë është të japë maksimumin.
Po sot do të ngjiten në skenë edhe Zvicra, Republika Çeke, Bjellorusia, Letonia, Kroacia, Danimarka, Gjeorgjia, Hungaria, Malta, Qiproja, Maqedonia dhe Portugalia. Një grup jo fort i favorshëm për Shqipërinë, po të llogarisim faktin që sot konkurrojnë katër vende të ish-Bashkimit Sovjetik, që siç dihet kanë një lobing shumë të fuqishëm me njëri-tjetrin. Gjithsesi, gjithçka do të shihet sot në mbrëmje, kur të dy prezantuesit t'i thonë stop televotimeve. Ndërkaq, mbrëmjen e së martës u zhvillua nata e parë gjysmëfinale, ku mes 19 konkurrentëve, u zgjodhën 10 për në finale. Finalistët janë Greqia, Rumania, Bosnje-Hercegovina, Finlanda, Rusia, Izraeli, Azerbaixhani, Armenia, Polonia dhe Norvegjia. Nata finale do të zhvillohet në datën 24 maj në stadiumin "Beogradcka Arena", me një kapacitet prej 25 mijë spektatorësh.