“Të zbardhet masakra e Dobraçit”, ministri Hoxha ultimatum drejtorit të ri të policisë

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka kërkuar në mënyrë të prerë zbardhjen e masakrës së 30 tetorit që la pas 4 viktima në Shkodër.
Ai kërkoi vënien përpara përgjegjësisë të autorëve, me qëllim që kryeqëndrës së veriut t’i kthehet sa më parë qetësia.
“Nga Tirana keni në dispozicion të gjithë logjistikën e duhur për t’a zbardhur këtë ngjarje. Prandaj kërkesa ime kryesore është që sa më parë të vihen para pergjegjësisë autorët e atentatit të 30 tetorit. Shkodra është një qytet në zemër të Shqipërisë, qyteti i artit dhe kulturës që ne duhet sa më parë t’i kthejmë buzëqeshjen dhe qetësinë. Këtë kërkoj nga drejtori i ri Lleshaj dhe e gjithë struktura këtu, duke mos humbur asnjë çast në këtë drejtim”, tha ministri nga Shkodra.
Hoxha në vazhdën e prezantimeve që po bën në të gjithë vendin, zyrtarizoi në Shkodër kreun e ri të policisë Fatmir Lleshaj.
Ai zëvëndëson në këtë detyrë Edmond Sulaj, i cili mësohet se është emëruar drejtor në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Tiranë./vizionplus.tv