E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatër pa politikë

Drejtoresha e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK), Burbuqe Berisha, deklaron se në TKK nuk ekziston favorizimi i ndonjë anëtari të partisë në pushtet (PDK). Ajo thotë se nuk është në asnjë parti politike, njësoj siç nuk është as regjisori Kushtrim Koliqi, i cili e punoi shfaqjen “Më Afër”.

Lajmi se politika ka filluar të ndikojë në seleksionimin n e regjisorëve që mund të bëjnë shfaqje në TKK, ka nxitur reagimin e drejtuesve të Teatrit Kombëtar, të cilët thonë se as ata vetë nuk janë persona të përfshirë në asnjë parti, dhe se në TKK nuk bënë favorizim të njerëzve politikë.

Regjisori, Agim Selimi, përndryshe drejtor i Teatrit Dodona, të martën deklaroi për Express se drejtuesit e TKK’së bëjnë seleksionime, dhe se ka paragjykime për disa regjisorë që nuk kanë punuar me vite në TKK, përderisa, paralelisht, lavdëroi punën e ish-drejtorit të TKK, Teki Dervishit.

Selimi, akuzoi TKK’në se po përzgjedhë dhe seleksionon njerëzit që do të bëjnë regji, derisa pohoi se kritikat që dikur i bëheshin Teki Dervishit ishin më shumë politike sesa vërtet kishin të bënin diçka me teatrin.

“Është e sigurt që ka qenë kështu, sepse tani teatri nuk është një objekt i luftës politike, por atëherë ishte”, tha Selimi të martën.

Mirëpo një ditë më vonë, drejtoresha e përgjithshme e TKK’së, Burbuqe Berisha, thotë për Express se, një ndër gjërat për të cilat ajo e ka ngritur më së shumti zërin në kohën sa drejtor artistik ishte Jeton Neziraj ishte pikërisht kjo punë.

“Të gjithë e dinë se unë kam qenë shumë kundër seleksionimit. Jam një person që nuk i takoj asnjë partie politike. Por, nëse dikush mendon se është kështu, atëherë le të urdhërojë. Kam insistuar edhe me parë, dhe insistoj edhe tani, që në TKK të inskenohen sa më shumë tekste të autorëve shqiptarë”, shprehet Berisha.

Ajo nënvizon se forma për seleksionimin mbi baza partiake të ndonjë regjisori nuk është formë e saj e punës. Madje, ajo betohet se nuk vepron sipas këtij parimi e as nuk do të vepronte në ato kushte.

“Nëse ndodhin këto punë, atëherë unë nuk do të jem më në Teatrin Kombëtar”.

Sa i përket përzgjedhjes së teksteve, Berisha thekson se kjo është punë e drejtorit artistik, andaj ajo edhe nuk përgjigjet për këtë gjë.

“Ndryshe, nesër do të bëhet shqyrtimi i teksteve në bord ,dhe aty do të shihet se cilat projekte do të merren parasysh e cilat jo”, përkujton ajo.

Express ndërkohë tentoi të kontaktonte edhe me ushtruesin e detyrës së drejtorit artistik, Emin Emini, por ai nuk iu përgjigj telefonatave. Kjo, mbase, edhe nuk është ndonjë risi për drejtorin artistik, sepse që nga zgjedhja e tij në këtë pozitë ai ka qenë i ngurtë për dhënie të përgjigjeve për mediat e Kosovës.

Nga ana tjetër, se në TKK, nuk ka politikë pohon edhe regjisori Kushtrim Koliqi, sipas të cilit, jo vetëm ai por as ndonjë familjar i tij nuk është anëtar i asnjë partie politike.

“Jo, jo! As unë vetë nuk jam në ndonjë parti politike. Familja ime është totalisht jopartiake”, thotë Koliqi për Express.

Sipas tij, nëse dikush ka fakte për këso pretendimesh, atëherë lirisht mund t’i qes në gazetë.

“Pra, duhet të jenë më konkretë. Unë kam konkurruar në TKK me tekstin ‘Më Afër’. Drejtori artistik pastaj tekstin, konceptin dhe ekipin e shfaqjes e ka prezantuar në bord. Dhe bordi e ka aprovuar”, sqaron ai procedurën e përzgjedhjes së tekstit të tij për inskenim.

Po ashtu, Koliqi tregon edhe për punën e TKK’së, duke theksuar se sivjet kanë qenë dy shfaqje për të cilat mendon se janë të arrira.

“Janë shfaqjet Rock N’Roll dhe ‘Nata e Dymbëdhjetë”, që janë prodhim i TKK’së dhe që janë të arrira e inovative”, thotë ai.

Kush bëri shfaqje në TKK, më 2011?

Nga të gjithë regjisorët që kanë bërë shfaqje në TKK në vitin 2011, të vetmit që i dihet përkatësia politike është Fadil Hysaj, i cili është anëtar i PDK’së. Ai madje ishte edhe këshilltar i kryeministrit Thaçi në mandatin e kaluar.

Hysaj bëri regjinë e shfaqjes “Lidhje Gjaku”.

Pos Fadil Hysajt, regji të shfaqjeve që u dhanë në TKK kanë bërë edhe Ilir Bokshi (Nata e Dymbëdhjetë), Iliriana Arifi (Cubi i Kukurrecit), Dino Mustafic (Rock n’Roll), dhe Kushtrim Koliqi (Më afër).

Paralelisht, në skenën e vogël të TKK’së janë dhënë edhe disa shfaqje nga regjisorë të rinj dhe dy premiera të baleti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›