E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana, i panevojshëm për Lazion

Lorik Cana mund të largohet nga Lazio gjatë janarit. Futbollisti shqiptar nuk e ka bindur trajnerin Edy Reja, kështu që mundësitë janë të hapura për një largim të tij nga Roma. Mediat franceze spekulojnë se 28 vjeçari mund të rikthehet në Marseille.

Lorik Cana ishte transferuar në Itali, përkatësisht te Lazio, për ta ringjallur karrierën, pas eksperiencës dështuese në Turqi, ku për një vit luajti me gjigantin turk Galatasaray.

Mirëpo, mesfushori shqiptar nuk e ka gjetur rehatinë as në kryeqytetin italian. Edhe pse shpesh nëpër mediat italiane thotë se ndihet i lumtur në Lazio, eksperienca e tij në këtë klub nuk ka filluar siç ishte pritur.

Kur ishte transferuar gjatë verës te klubi Biancocelesti, u bë bujë e madhe, pasi që konsiderohej si njëri prej përforcimeve më të mëdha. Mirëpo, për dallim nga Miroslav Klose e Djibril Cisse, përfaqësuesi shqiptar ka mbetur nën hije.

Ai është rezervist i rregullt dhe nuk ka bindur aspak me kualitetin që posedon. Për këtë, sipas ueb faqes franceze mercato365.com, trajneri Edy Reja nuk llogarit në të dhe ish futbollisti i Paris Saint Germain, i Olympique Marseille, i Sunderland dhe i Galatasarayt mund të largohet gjatë janarit.

“Trajneri Reja nuk është bindur nga lojtari dhe nuk do të thoshte ‘JO’ për një largim eventual të Canës në dimër”, shkruan kjo ueb faqe.

Ndërkohë, menjëherë kanë filluar spekulimet se cila do të ishte e ardhmja e futbollistit gjakovar. Gjithnjë sipas kësaj ueb faqeje, Cana - i cili luan në pozitën e mesfushorit defanziv, por edhe në atë të qendër mbrojtësit - mund të rikthehet në Francë, te Marseille, ku e arriti kulmin e karrierës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›