Teatri i djegur, Festivali i Teatrit zhvillohet në lëvizje
Ka nisur për të trembëdhjetin vit Festivali Ndërkombëtar Teatror Përtej kufijve. Ndryshe nga herët e tjera, ky edicion do të organizohet në lëvizje, në skena të ndryshme të improvizuara nga vetë organizuesit. Djegia e teatrit Skampa në gusht të këtij viti do ta kufizojë festivalin në kohë dhe në trupa pjesëmarrëse. Ceremonia e hapjes u zhvillua në sallën e Kinema Millenium, ku merrnin pjesë artistët veteranë Margarita Xhepa, Luftar Paja, Tinka Kurti etj. Kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini, i cili mban edhe vendin e presidentit në këtë edicion, si një nga sponsorizuesit kryesorë të Festivalit, ka premtuar se në vitin 2012 Festivali do të zhvillohet në Skampa, në kuadrin e dy ngjarjeve të mëdha, në 95-vjetorin e teatrit elbasanas, dhe në 100-vjetorin e Pavarësisë. Më pas, Festivali ka nisur me performancën e teatrit Koreja të Leçes, Itali, me Gestures and Zoom, interpretuar nga artistët Admir Shkurtaj, Giorgo Distante dhe Redi Hasa. Tre instrumentistët sollën muzikë bashkëkohore, teatri dhe ballkanike. Më pas, skena e improvizuar është zhvendosur në ambientet e Teatrit të Kukullave në teatrin Skampa, ku trupa e Teatrit të Bitolas, Maqedoni, ka interpretuar shfaqjen Më në fund me regji të Blagoj Micevsk. Drejtori i Festivalit, Adonis Filipi, duke e cilësuar teatrin si më të rëndësishmin e qytetarisë dhe kulturës së qytetit, tha se: Festivali i titulluar Përtej kufijve mbahet në kushte të vështira, por e rëndësishme është se vlerat i krijojnë njerëzit, dhe ne do të tregojmë impenjimin tonë për të vazhduar më tej.