E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri i lirë i Kacës

Gazeta Shqip

Regjisori Enton Kaca sjell sot në skenën e Teatrit Kombëtar Skica për dramë, konflikt dhe personazhe

Teatri i KacesTeatri për Enton Kacën lind dhe duke shfletuar fletët e një libri. Një fjalor me fjalë shqip-gjermanisht, i botuar posaçërisht për shqiptarët që mund të udhëtonin në këtë vend gjatë komunizmit, apo një përmbledhje e poezisë shqipe e vitit 1976 në italisht janë momente që e kanë bërë të ndiejë shtysën, për të marrë prej tyre pjesë që mund të vendosen në teatër. Është emocionuese të lexosh vargjet e vendit tënd, në një gjuhë e vend tjetër, duke ndier se ato marrin një tjetër kuptim. Të gjitha këto copëza ndjesish që i ka marrë jo vetëm brenda një libri, por dhe nga momente të tjera të jetës, Kaca do ti sjellë sot, në skenën e Teatrit Kombëtar në premierën e Skicë për dramë, konflikt dhe personazhe. I tërhequr gjithnjë nga teatri alternativ, Kaca kërkon të sjellë një shfaqje ndryshe nga teatri që jemi mësuar të shohim. Kjo shfaqje bazohet në disa tema sociale dhe kryesisht temat e emigracionit, largimit, arratisjes, ikjes, revoltës, refuzimit, vdekjes, braktisjes, ëndrrave, pamundësive, boshit dhe të tjera histori të ngjashme me to. Temat janë përzgjedhur nga disa tekste të ndryshme, këngë, poema, ngjarje konkrete, filma, poezi, video, ngjarje historike dhe politike, thotë Kaca. Fillimisht tema që ai donte të trajtonte ishte migrimi nga zonat rurale drejt qendrës. Ideja e qendrës, e qytetit të madh, ku të gjithë duan të jetojnë, duke braktisur periferitë, një fenomen i njohur ky vitet e fundit në vendin tonë, e kishte tërhequr gjithnjë. Por idetë mund të ndryshojnë gjatë procesit të punës, ndaj dhe Kacës i pëlqen ky lloj teatri. Momentet e provës mund të kthehen në një laborator pune, duke u bërë unike në formën e tyre dhe çdo ditë të duket sikur je duke jetuar një tjetër aventurë, thotë regjisori. Për të teatri është eksperimentim i ideve dhe vetëm kur ato ngjizen përmes fjalës dhe lëvizjes mund të marrin formën e duhur Gjithçka mund të ndryshojë gjatë punës dhe kjo është hapësira që të krijon ky lloj teatri. Kaca nuk shkruan asnjëherë skenar. Skenari për të lind aty në skenë. Duke hulumtuar mbi idenë e migrimit nga fshati në qytet, Kaca do të njihej me një dimension tjetër të emigrimit, më trishtues që ende vazhdon ta prekë shoqërinë shqiptare. Emigrimi pas viteve 90 dhe fati i shqiptarëve të parë që mbërritën në vendet fqinje përmes detit ose maleve mbart mijëra histori. Është koha kur teatri duhet të thotë të vërtetën dhe ky fenomen sado që është trajtuar në kinema apo libra, ka gjithnjë diçka për të thënë. Dhe shfaqja e sotme e Kacës do të ketë pjesë që japin mesazhe të forta mbi dhembjen që ka shkaktuar emigrimi, dëshirën e njerëzve për një botë më të bukur, e më të sigurt. Batanijet me të cilat mbështilleshin natën në kuvertën e anijeve, apo rroba të lagura që shqiptarët i groposnin në rërë, për ti marrë të tjerët që do të vinin pas tyre do të jenë pjesë e shfaqjes. Por për të mbërritur te rrëfimi për emigrimin, historia nis me një tjetër temë, sërish e prekshme e historisë sonë, soc-realizmin. Gjashtë personazhet e këtij teatri qëndrojnë si një trup i vetëm të bashkuar në formë heroike, duke dhënë kështu idenë e forcës dhe të bashkimit, ide kjo që vjen duke u shpërbërë vetëm disa çaste më vonë, ku një nga një personazhet ndahet nga trupi. I gjithë teatri është ndërtuar mbi lëvizjen, dance teatër. Balerinët që do të interpretojnë janë Milena Nurka, Klaudia Zaçe, Sueda Hoxha, Elton Cefa, Ardit Logu, aktorë Egzona Ademi, Dorjan Ramaliu. Skica për dramë, konflikt dhe personazhe është një performancë e kompanisë teatrore Tirana New Theate në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar.

Teatri i lirë i Kacës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›