E Diel, 1 Nëntor 2026

Tech4Edu, platformë digjitale mësimore për nxënësit dhe mësuesit

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Programi “Tech4Edu” u prezantua sot në Tiranë, në ambientet e Piramidës, në kuadër të Javës Kulturore Britanike.

Fokusi i programit “Tech4Edu” është prezantimi i arsimit digjital përmes fuqizimit të kapaciteteve dhe praktikave britanike më të avancuara në mësimdhënien digjitale.

Në këtë aktivitet, të pranishme ishin edhe dy zëvendësministret e Arsimit, Orjana Osmani dhe Herida Duro, si edhe përfaqësues nga Ambasada britanike në Tiranë, nga British Council Albania, fondacioni “Vodafone Albania”, mësues dhe nxënës të shkollave të ndryshme në Tiranë.

Në nisje të aktivitetit, CEO i Vodafone Albania, Balázs Révész, e vlerësoi këtë nismë që do të çojë në ndërtimin e një platforme digjitale ku të gjithë nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë, por edhe mësuesit do të kenë akses në format e reja të mësimdhënies, përmes Inteligjencës Artificiale dhe jo vetëm.

Zëvendësambasadorja britanike në vendin tonë Julia Sutherland, e cilësoi këtë bashkëpunim si shumë të vlefshëm, për nxënësit, mësuesit, ndërsa epoka digjitale bëhet gjithnjë e më sfiduese.

“Kjo është Java e Kulturës Britanike në Tiranë dhe ne jemi shumë krenarë që jemi bashkudhëtarë në progresin që ka shënuar Tirana jo vetëm me këtë event, por në tërësi. Kemi projekte shumë të rëndësishme përpara, e nëse punojmë si ekip, ne do të ndërtojmë bashkë me të rinjtë aftësitë digjitale për të mbështetur progresin në çdo fushë”, tha Sutherland.

Edhe përfaqësuesja e British Council në vendin tonë, e cilësoi këtë memorandum mirëkuptimi si një shenjë arritje në drejtim të arsimit dhe mësimdhënies digjitale, në një kohë kur digjitalizimi dhe Inteligjenca Artificiale janë përfshirë në çdo sektor.

Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani u shpreh se ky aktivitet bashkon inovacionin, kreativitetin dhe fuqinë e edukimit në epokën digjitale.

“Ky aktivitet konfirmon atë se çfarë ne mund të arrijmë kur bashkëpunojmë mes shkollave dhe mësuesve sa i takon mësimdhënies. Ne po e shohim se si teknologjia po transformon mënyrën e të mësuarit. Kemi përfshirë lëndën e kodimit në shkolla që ndihmon në zhvillimin e aftësive digjitale në klasa. Por, përtej këtij suksesi, ne jemi krenarë që në këtë rrugëtim prezantojmë teknologjinë si element përmes të cilit mund të ngjallet kurioziteti për dijen dhe mundësitë e reja për çdo fëmijë. Edukimi në kohën e sotme nuk është vetëm në ekrane, por në programet që theksojnë fuqinë e mendimit të thelluar”, tha Osmani.

Ndërsa, Dorina Rapti, drejtoreshë e Kurrikulës dhe Departamentit të Kualifikimit të Mësuesve në ASCAP, tha se të gjithë jemi bashkudhëtarë dhe bashkëkohës të një epoke që është shumë e bukur, me shumë gjëra të reja, por njëherësh edhe shumë sfiduese.

“Është sfiduese për ne, por edhe për nxënësit të cilët jetojnë jo vetëm kohën e tashme, por do të jetojnë edhe në të ardhmen përmes një epoke që nuk e dimë se çfarë na pret”, tha Rapti.

“Ne jemi këtu për të ndërtuar kurrikula dhe një sistem arsimor që ju mbështet juve dhe ndihmon për të zhvilluar aftësi digjitale të mendimit të thellë, me të cilat ju do të keni mundësi të bashkëjetoni në të gjithë vitet që do të pasojnë. Jemi të etur për të pasur platforma digjitale që mundësojnë të nxënit tuaj, por jo vetëm. Të nxënit tuaj në mënyrë inovatore që të mund të krijojmë sa më shumë mendime dhe gjëra të reja në funksion të të gjithë brezave që do të vijnë”, përfundoi Rapti.

Nga aktiviteti Tech4Edu i organizuar te Piramida, Tiranë 1 nga 14

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›