E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teferiçi: Tani jemi më të çlirët

Kuratori i Konkursit Ndërkombëtar të Arteve Pamore, Parid Teferiçi tregon për prurjet dhe tendencat e këtij viti dhe sidomos për rolin jo diktues të kuratorit


Ndryshe nga vitet e tjera, nuk ka një koncept të fiksuar, të cilit artistët duhet t'i përmbahen. Ai do të vendoset pas përzgjedhjes së të gjitha veprave.


Parid Teferiçi ka lënë politikën dhe po shkon qytet më qytet për të kërkuar vepra e artistë me të cilët do të ngrejë më këmbë edicionin e 16-të të Konkursit Ndërkombëtar të Arteve Pamore, "Onufri".

Parid, nisur nga çfarë ideje apo konceptesh po punon për zgjedhjen e veprave të "Onufrit 09"?


Kërkova të bëja një "Onufër", në të cilin kuratori të jetë në rolin më modest të mundshëm. Ai është thjesht një sistemues, reklamues dhe vetrinist i një situate të caktuar, jo imponues i një vizioni, apo i një teme.


Për mendimin tim, një kurator i mirë është ai, puna e të cilit nuk duket. Jo një "diktator" që fikson një tezë, hipotezë, apo një temë të caktuar. Në këtë rast artisti ngelet një punëtor krahu që ilustron tezat apo paragjykimet që ka kuratori mbi situatën aktuale.

Më konkretisht, çfarë duhet të bëjë një kurator?


Të shkojë kudo ku vlon jeta artistike, në botën ku gëlon një zhdërvjelltësi dhe gjallëri mendimi jashtë syve të medias, aty ku janë ata donkishotë që punojnë ndryshe nga ç'punohet në kapitalizmin e çuditshëm shqiptar.


Të shkojë të informohet se kush janë vektorët kryesorë të prurjeve. Më pas vjen tema, teza dhe koncepti i tij kuratorial, si një pasojë e të gjithë punës. Në fund të këtij cikli ai shikon se cila është harta artistike e momentit dhe fikson temën, e cila është një shumatore e vektorëve krijues të kësaj situate.


Ky vendim erdhi pasi përvoja ka treguar se artistët nuk u përmbahen temave dhe koncepteve të diktuara?


Unë si kurator kam parësore veprën dhe jo kreativitetin si proces. Kreativiteti vlerësohet atëherë kur kuratori kërkon punëtor krahu që ilustrojnë tezat dhe opinionet e tij.


Në rastin konkret, unë po shoh se cila është skena dhe prapaskena artistike e Tiranës. Në bazë të kësaj do të ngre një tezë që i lidh të gjitha. Edhe për pak kohë dhe do ta kem të qartë një formë-ide të caktuar.

Nga vëzhgimi i deritanishëm çfarë del?


Më ka bërë përshtypje gjallëria dhe larmia e kërkimit artistik në Tiranë. Mund të them që është në linjë me gjithë aktivitetin e kulturës perëndimore. Artistët eksperimentojnë, por jo në kuptimin e eksperimentit modernist me tri shtyllat e veta: radikaliteti, origjinaliteti dhe noviteti.


Tani jemi në një fazë më të çlirët. Iku koha e eksperimentimit për të rijetuar momentet e modernitetit brenda kësaj periudhe tranzicioni, ku janë rievokuar të gjitha fazat e modernitetit në art. Tani jemi në një fazë pjekurie të jetës së arteve vizive në Shqipëri.

Ku duket kjo pjekuri?


Kjo qëndron te një lloj ndjeshmërie për postmodernen. Një lloj shkëputje nga dëshira me çdo kusht e së resë dhe një shije që tregon një rritje kulturore, një rritje e erudicioni të artistit shqiptar që di edhe të citojë, të bashkërendojë citimin e autorëve të mëparshëm. Ka edhe një larmi artistike. Unë modestisht do të kërkoj të sjell një prerje artistike të gjithë kësaj situate artistike.


Ka autorë të fortë tashmë në historinë e artit shqiptar, të cilët më kanë surprizuar me risitë që sjellin në kërkimet e tyre. Nuk do të dëshiroja që të jepja emra, pasi puna e "Onufrit" ndonjëherë ndotet nga pakënaqësitë dhe klanet e ndryshme.


Fakti që qëndroj jashtë këtyre klaneve, ndoshta do të ndihmojë që të shfrytëzohet kjo skenë ekspozitive edhe si fusha e vërtetë e betejës për artistin, jo e thashethemit, e intrigave dhe e diskutimit ekstra artistik.


A ka përfshirje të të gjitha gjinive të artit pamor?


Unë nuk do të paragjykoj asnjë lloj mediumi dhe as aftësinë që kanë për të përcjellë mesazhe estetike. Predispozita ime është një lloj rikthimi i pikturës tradicionale. Duhet t'i largohemi tezës së dalëboje tashmë që mediumet e reja janë ato që përçojnë mesazhe të reja.


Sipas meje çdo medium ka hapësirën, kapacitetin dhe koeficientin e nevojshëm të lirisë për të përcjellë të reja dhe art të vërtetë. Piktura e kavaletit nuk e ka humbur aftësinë për të kapur dhe për të transmetuar të renë.


Nga eksperienca jote, po edhe nga vëzhgimet përreth, si do ta vlerësonit artin që po bëhet sot?


Nuk është i shkëputur nga zhvillimet bashkëkohore. Mendoj se të gjitha komplekset e inferioritetit që ka pasur po zbuten dhe po lëmohen me kalimin e kohës.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për artistin pamor?


Ka ndodhur një fenomen i çuditshëm gjatë kësaj periudhe tranzicioni në Shqipëri. Ka ndodhur një lloj regresi në izolim i artistit shqiptar.


Shumica mbyllen në studion e tyre dhe i hyjnë një kërkimi individual alla Robison Kruzo, shkëputen nga ajo çka ngjet në panoramën e përgjithshme në botë. Gjithsesi këto momente ekspozitive duhet të shfrytëzohen nga të gjithë artistët.


Është i vetmi moment real për të dëshmuar çfarë po kërkojnë dhe ku duhet të shkojnë. Le të shërbejnë këto momente ekspozitive siç është "Onufri" për të shmangur izolimin e artistëve shqiptarë. Ajo që dëshiroj realisht të dalë në pah është jeta e vërtetë artistike e artistëve shqiptarë.


Ndryshe nga çdo ndodh në botë, artisti duhet ta krijojë vetë tregun artistik në Shqipëri, edhe në një treg të mbushur me panorama kineze dhe dyqane pikturash komerciale.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›