Suedia: Shqipëria jashtë Shengenit, jo për përkatësinë fetare
Sipas përfaqësueses suedeze në Tiranë, qytetarët e këtyre vendeve, që nuk përfituan nga liberalizimi i vizave, janë viktima të pazotësisë së liderëve të tyre.
TIRANË- Të qënurit një vend me shumicë popullsie myslimane, nuk ka qenë dhe
nuk është pengesë për Shqipërinë të ecë ashtu si edhe vendet e tjera fqinje në rrugën e saj integruese në Bashkimin Evropian.
Është Suedia, vendi që ka Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, ajo që ka konfirmuar dje nëpërmjet konsullatës së saj në Tiranë, se përkatësia fetare islame e shumicës së shqiptarëve nuk është faktor, që ka ndikuar në vendimmarrjen dhe politikat e institucioneve qendrore të Bashkimit Europian, përsa
i përket proceseve të zgjerimit dhe liberalizimit të vizave. Znj.
Elisabeth Stam, Përfaqësuese e Konsullatës Suedeze në Shqipëri, duke folur dje në forumin e politikave mbi "Presidencën Suedeze të BE- së dhe implikimet e saj në procesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor" të organizuar Lëvizja Europiane në Shqipëri ka hedhur poshtë çdo aludim të politikanëve dhe analistëve, që e lidhin mospërfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në listën e vendeve ballkanike, që përfitojnë nga liberalizimi i vizave në fillim të vitit 2010 me përkatësinë e tyre fetare myslimane, si të gabuar dhe tepër të rrezikshme.
"Këto supozime janë një mënyrë e thjeshtë për politikanët për të larguar përgjegjësinë nga mangësitë e punës së tyre duke drejtuar gishtin nga Brukseli. Kjo përqasje për çështje që lidhen me përkatësinë etnike dhe fetare në një rajon si Ballkani, jo vetëm që është e gabuar por edhe e rrezikshme.
Kjo gjë është e patolerueshme", - u shpreh diplomatja suedeze Elisabeth Stam. Sipas saj, liberalizimi i vizave për këto dy vende varet vetëm nga aftësia e tyre për të kryer reformat e vëna si kusht nga Bashkimi Evropian.
"Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina nuk janë përfshirë në propozimin e Komisionit Europian për të përfituar liberalizimin e vizave për shkak se këto vende duhet fillimisht të përmbushin kushtet e përcaktuara në Udhërrëfyes, për të përfituar më pas një vlerësim pozitiv nga Komisioni", - shtoi Stam gjatë fjalës së vet të mbajtur në këtë forum.
Madje, ajo nuk ka nguruar të bëjë përgjegjës për mospërmbushjen e këtyre reformave pikërisht elitën politike të këtyre dy vende, të cilët kanë edhe fuqi vendimmarrëse.
Për të shprehur qëndrimin e saj, ajo i është referuar pikërisht fjalës së mbajtur nga ministri i Jashtëm i Suedisë Carl Bild mbajtur në 21 Korrik 2009, i cili bëri me faj për këtë veçim të këtyre dy vendeve liderët politikë të tyre.
"Qytetarët e këtyre vendeve që nuk përfituan nga liberalizimi i vizave janë viktima të pazotësisë së liderëve të tyre politikë për të marrë vendime që do të përmbushin kërkesat e paracaktuara siç është prodhimi i pasaportave biometrike", - u shpreh Stam duke iu referuar pikërisht fjalës së Ministrit të saj të Jashtëm Carl Bild.
Duhet theksuar se që prej 1 korrikut 2009, presidenca e Bashkimit Evropian mbahet nga Suedia. Kjo presidencë mbaron në dhjetor të këtij viti dhe do të pasohet në 2010, nga presidenca Spanjolle dhe Belge.
Ndërkohë që edhe Gjermania vlerëson se ecuria në procesin afrues të vendit tonë me familjen e madhe europiane varet pikërisht nga reformat e mëdha, që nevojitet të realizohen nga Shqipëria.
Sipas deputetes gjermane, Margrit Wetzel, e cila në krye të një delegacioni të Bundestagut gjerman ka takuar dje kryeparlamentaren Jozefina Topalli, për ndërmarrjen e reformave të rëndësishme, që kërkon procesi i integrimit, duhet që klasa politike në vend të gjejë zgjidhjet e duhura për të bërë të mundur, që Kuvendi të funksionojë me numrin e plotë të deputetëve.
"Doja të theksoja faktin që pjesëmarrja e opozitës apo mbledhja e parlamentit në numrin e tij të plotë, është vërtet tejet e rëndësishme.
Fakti që Progres Raporti i publikuar së fundi kërkon realizimin e reformave të rëndësishme për vendin, e bëjnë të domosdoshme mbledhjen e parlamentit në numrin e tij sa më të plotë", - tha Wetzel.