E Diel, 1 Nëntor 2026

Teknologjia si mirëqenie

Milena Harito

Milena HARITO*

Deklarata marramendëse janë bërë kohët e fundit mbi Shqipërinë dixhitale, ashtu si në fusha të tjera. Po ti ballafaqojmë me të dhënat ndërkombëtare, del se Shqipëria është sot fatkeqësisht vendi i fundit i gjithë kontinentit europian në zhvillimin e infrastrukturës së shoqërisë së informacionit. Pas gjithë vendeve të Bashkimit Europian, por edhe në fund të vendeve të rajonit, si: Bullgaria, Maqedonia, Bosnja, etj. Të dhënat janë lehtësisht të verifikueshme në dokumentin e ITU http://www.itu.int/net/pressoffice/backgrounders/general/pdf/5.pdf (indekset IDI dhe IPB).

Telefonia celulare rëndon në buxhetin e familjeve shqiptare afër 8%, më tepër se në çdo vend tjetër të rajonit, ndërkohë që në vendet fqinjë, si për shembull Sllovenia përfaqëson vetëm 1,5% dhe në Malin e Zi më pak se 3%. Ndërsa aksesi i shpejtë në internet, komoditet i domosdoshëm në botën e sotshme ashtu si uji dhe energjia elektrike është i mundur vetëm për 6,2% të popullatës, sipas shifrave zyrtare të AKEP. Shqipëria ka arritur, pra, në vitin 2011 nivelin që kishte vendi i parafundit i rajonit Bosnja, në vitin 2009.

Ndaj rruga drejt Shqipërisë dixhitale është ende e thepisur, me shumë pengesa, duke filluar nga monopolet e oligopolet e krijuara në tregun e infrastrukturave. Vetëm një vullnet politik i qartë për liberalizimin e ndershëm të tregut të komunikacioneve elektronike do të mundësojë uljen e tarifave. Po ashtu miradministrimi i spektrit të frekuencave, i cili është një nga pasuritë kombëtare, duhet të shërbejë për të mbushur buxhetin e shtetit dhe jo xhepat e klientëve partiakë.

Në morinë e gjërave, që duhen zhvilluar në këtë fushë, Partia Socialiste ka veçuar si prioritete të mëdha kombëtare krijimin e një sistemi kombëtar unik të të dhënave shëndetësore për të gjithë qytetarët dhe zhvillimin e një sistemi dixhital në arsim.

Përse në së pari në këto dy drejtime? Ne mendojmë se paratë e taksapaguesve duhet të shpenzohen së pari aty ku i shërbejnë shumicës. Le të shohim përse e në çmënyrë.

*****

Sistemi unik mbarëkombëtar në shëndetësi ka si qëllim që çdo lek i derdhur nga buxheti i shtetit në mjekësi të jetë i shpenzuar vetëm për tu shërbyer qytetarëve.

Në këtë sistem unik do të regjistrohen të dhënat mjekësore e shëndetësore të çdo banori të Shqipërisë: diagnozat, recetat farmaceutike, grafitë, skanerët, analizat. Po ashtu, çdo akt mjekësor e mjekim i administruar në spitalet publike e private do të regjistrohet në të njëjtin sistem kombëtar.

Cilët janë avantazhet? Një sistem i tillë, së pari, lehtëson komunikimin midis personelit mjekësor që merr në ngarkim një pacient, përmirëson vendimmarrjen mbi trajtimin mjekësor, duke siguruar të dhëna të plota, eviton aktet mjekësore të shumëfishta dhe shpenzimet e tepërta.

Nga ana tjetër, ruajtja e të dhënave përmirëson transparencën, lehtëson kontrollin e cilësisë së trajtimeve mjekësore dhe mundëson kontrollin efektiv të buxheteve të spitaleve.

Çelësi i suksesit është një sistem unik kombëtar që përfshin gjithë aktet mjekësore, siç e ka realizuar së fundmi Estonia. Projekte të copëzuara janë trumbetuar herë pas here vitet e fundit, por studime pas studimesh ngecin, sepse buxhetet shpërndahen për të kënaqur institucione të ndryshme që nga Ministria e Shëndetësisë në ISKSH, të gjithë nga pak, ku të harruarit janë gjithnjë … pacientët.

*****

Sistemet dixhitale në arsim do të mundësojnë miradministrimin e gjithë të dhënave arsimore.

Projekti i dytë kombëtar, i quajtur Një tabletë elektronike për çdo të ri, do të mundësojë futjen e metodave arsimore bashkëkohore dhe do të zvogëlojë hendekun midis atyre që kanë mundësi të kenë akses në botën dixhitale dhe të të tjerëve, të harruarve. Kjo iniciativë vërtet nuk mund të zgjidhë gjithë problemet e arsimit, por do tu lejojë atyre të rinjve që shoqëria sot i ka lënë mënjanë, akses të barabartë në informacion, hapje drejt botës. Mundësitë që ofron Interneti kur secili ka akses individual, të përditshëm në të dhe jo nëpërmjet laboratorëve të pluhurosur e jofunksionalë, janë të shumëfishta. Asnjë i ri nuk duhet të mbetet sot i përjashtuar. Këto para do të jenë para të mirëshpenzuara për të gjithë, sepse çdo i ri është edhe një ambasador efikas i botës dixhitale pranë familjes së tij.

Një tjetër drejtim i domosdoshëm për mirëqeverisje është zhvillimi i kadastrës shumëfunksionale. Sipas deklaratave qeveritare projekti i kadastrës është tashmë në zbatim, ndërkohë që ligji për të dhënat gjeohapësinore sapo është miratuar. Mbase do jetë pak e vështirë që projekti, ende i pashpallur, të realizohet gjatë këtij viti të fundit të qeverisjes. A do mund të sigurojë brenda vitit saktësinë e regjistrimit të pronave? Nëse ndodh kështu, aq më mirë, do të jetë në të mirën e Shqipërisë.

Në tryezën e zhvilluar nga Partia Socialiste disa ditë më parë, biseda e frytshme me përfaqësuesit e biznesit, me ata që realizojnë gjërat e prekshme në këtë fushë, vuri në dukje, ndër të tjera, një shqetësim madhor mbi nivelin e të diplomuarve në këtë fushë. Disa iniciativa rinovuese, të krijuara nga biznesi për formim të saktë profesional të studentëve, do të studiohen dhe nxiten. Gjithashtu, sistemet e implementuara në e-government duhet të zhvillohen edhe më tej. Por ky ishte vetëm raundi i parë i diskutimeve. Gjatë vitit në vazhdim Partia Socialiste do të vazhdojë të përgatisë në detaje, duke dëgjuar qytetarët dhe biznesin, programin e saj qeverisës në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikacioneve.

Disa mund të na pyesin përse duhen shpenzuar paratë publike në teknologji, në një kohë që, kur hyn në spitalet publike, harron në çshekull jetojmë, kur rrugët, bujqësia, arsimi, universitetet, kanë aq e aq nevoja për investime?

Teknologjitë dixhitale nuk janë qëllim në vetvete. Por janë në radhë të parë një mjet jashtëzakonisht i fuqishëm për mirëqeverisje dhe për të kontrolluar e gjykuar qeverisjen.

Përse?

Sepse të dhënat e sakta, të disponueshme për publikun, të kontrollueshme janë një mënyrë për të bërë qeverisjen më efikase, më të shpejtë, me kosto më të ulët, për të bërë më të vështirë vjedhjen, korrupsionin dhe falsifikimin.

Teknologjia si mirëqenie burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›