E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Telefoni i Liz Truss u hakua nga rusët gjatë fushatës, dy parti në Britaninë e Madhe kërkojnë hetim urgjent

Qeveria e re në Britaninë e Madhe po përballet me thirrje për të kryer një hetim urgjent pasi dolën raporte se një telefon që i përkiste kryeministres së larguar, Liz Truss ishte hakuar nga Rusia.

Liberal Demokratët dhe Partia e Punës i kanë përshkruar akuzat si “jashtëzakonisht serioze” dhe “shqetësuese”. Agjentët e dyshuar se punonin për presidentin rus Vladimir Putin dyshohet se kanë hakuar telefonin personal të ish-kryeministres gjatë fushatës së saj duke pasur akses në detajet e negociatave me aleatët kryesorë ndërkombëtarë.

Mesazhet private midis sekretarit të jashtëm të atëhershëm dhe ministrit të kabinetit Kwasi Kwarteng u hackuan gjithashtu. Sekretari i Shtetit për Leveling Up, Michael Gove këmbënguli se qeveria i merr çështjet e sigurisë “tepër seriozisht”.

 “Unë nuk i di detajet e plota se çfarë shkelje sigurie ka dhe nëse kjo ka ndodhur. Ajo që di është se qeveria ka protokolle shumë të forta për të siguruar që individët të mbrohen, por gjithashtu që siguria e qeverisë dhe siguria kombëtare të mbrohen gjithashtu. Unë mendoj se të gjithë ne duhet të jemi të ndjeshëm ndaj faktit që sa më shumë të flasim në detaje për këto gjëra, aq më shumë rrezikojmë t’u japim informacion njerëzve që dëshirojnë të dëmtojnë këtë vend dhe qytetarët e tij”, tha Gove.

Edhe kryetari i Komitetit të Përzgjedhur të Mbrojtjes, Tobias Ellwood tha se nuk ishte në dijeni të incidentit, por kishte parë raportet e dala në media.

“Ky është një kërcënim i vazhdueshëm nga Rusia, ata po bëhen gjithnjë e më të mirë në këto sulme kibernetike dhe hackerime. Ne marrim masat më të rrepta për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë. Kjo është diçka për komitetin e inteligjencës dhe sigurisë që të hetojë më tej”, tha ai.

Ndërkohë, Liberal Demokratët bënë thirrje për një hetim urgjent për rastin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›