Televizioni publik shqiptar dhe gjuha shqipe
Shpesh më ndodh, mbrëmjeve në orën 20:00, të ndjek nga fillimi në fund emisionin qendror të lajmeve në Televizionin publik shqiptar. Për tu informuar, sigurisht. Mirëpo, meqë merrem me gjuhën shqipe dhe atë frënge, për vetë profesionet që ushtroj, dua, sdua, jam i vëmendshëm jo vetëm ndaj brendisë së lajmeve, por edhe ndaj korrektësisë apo moskorrektësisë të gjuhës së përdorur nga folëset apo folësit për tua përcjellë ato teleshikueseve e teleshikuesve. Ndonjëra apo ndonjëri, ndoshta me njëfarë të drejte, mund të hidhet e të thotë me një grimë qesëndie: Profesor Tupja, a nuk ju duket sikur po e teproni paksa duke u sjellë si pedagog edhe kur shikoni lajmet në TVSH?. Mbase edhe e teproj, por mbase edhe nuk e teproj, sepse gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër, është para së gjithash një mjet komunikimi dhe nëse ky mjet cenohet, vjen detyrimisht një ditë që edhe mendimi i shprehur përmes kësaj gjuhe nuk vonon e turbullohet, cenohet, gjymtohet dhe bëhet më pak i kuptueshëm. Pastaj, nga ana tjetër, kam përshtypjen që gjuha shqipe është një nga të rrallat pasuri shpirtërore që na ka mbetur gati e pacenuar, prandaj edhe duhet mbrojtur, sepse, në fund të fundit, siç shprehej Fishta, ajo është e para që na lidh e na bashkon si komb.
Për tu kthyer te Televizioni publik shqiptar dhe, më saktë, tek emisioni qendror i lajmeve të orës 20:00, me keqardhjen më të madhe e më të sinqertë më duhet të pranoj që gjuha shqipe e përdorur gjatë tij lë për të dëshiruar. Ndonëse nuk jam i fushës televizive (ku, ndër të tjera, një emision lajmesh kërkon një vënie në skenë me regjisor një drejtor informacioni, me aktorë folëset e folësit, me skenaristë redaktoret e redaktorët, me një ekip teknik etj., etj. dhe, së fundi, por jo më së paku, me spektatorë qindra mijëra teleshikues), mendoj që folëset e folësit e sotëm kanë meritat e tyre nga pikëpamja profesionale: janë të rinj, telegjenikë, të shkathët, me zë radiofonik etj., etj., por mjerisht jo gjithmonë janë të vëmendshëm ndaj cilësisë së gjuhës që përdorin. Kështu, pa dashur të përmend emra, jam i shtrënguar të them që ata dhe ato bëjnë sistematikisht gabime gjuhësore të disa kategorive: 1) Keqshqiptime si eleminoj në vend të eliminoj, kompromentoj në vend të komprometoj, recension në vend të recesion etj. etj.; 2) Huazime të panevojshme si aplikim e aplikoj në vend të kërkesë e bëj kërkesë, menaxhim e menaxhoj në vend të administrim e administroj, limit në vend të cak, kufi, ekstrem në vend të skaj apo në vend të i skajshëm, evitim e evitoj në vend të shmangie dhe shmang, siguracion në vend të sigurim, benefit në vend të përfitim, skonto në vend të ulje, zbritje (çmimesh), prioritet në vend të përparësi, prioritar në vend të (për)parësor, demarsh në vend të përçapje, evakuoj në vend të a) zbraz b) largoj, shpërngul, akordoj në vend të jap, fiskal në vend të tatimor, minoren në vend të i mitur, maxhorancë në vend të shumicë, minorancë në vend të pakicë, resurse në vend të burime, implementim dhe implementoj në vend të zbatim dhe zbatoj, impresion në vend të përshtypje, mbresë, komod në vend të i volitshëm, i përshtatshëm, akomodim dhe akomodohem në vend të sistemim dhe sistemohem, suport dhe suportoj në vend të mbështetje, përkrahje dhe mbështes, përkrah, kooperim dhe kooperoj në vend të bashkëpunim dhe bashkëpunoj, kredibël dhe kredibilitet në vend të i besueshëm dhe besueshmëri, perfekt në vend të i përsosur, i përkryer etj., etj. 3) Përsëritje të panevojshme si: Do të ndërtohen kaq shkolla të reja…, gara konkurruese, prioritet kryesor, impresione mbresëlënëse, etj., etj. 4) Absurditete si demilitarizimi i municioneve në vend të çmontimi dhe asgjësimi i municioneve, mosha e internetit në vend të koha e internetit etj., etj. 5) Gabime gramatikore si: Takimet që pala shqiptare ka zhvilluar me homologët e tyre grekë… në vend të takimet që pala shqiptare ka zhvilluar me homologët e saj grekë…, etj. etj. 6) Mënyra të shprehuri të përçudnuara si Ministria X është e gatshme dhe bashkëpunuese për të kryer… në vend të Ministria X është e gatshme të bashkëpunojë për të kryer….
Sigurisht që faji nuk është aq i aktorëve, pra i folëseve dhe i folësve, të cilët, në fund të fundit, vetëm lexojnë në pronter çka u shërbejnë skenaristët, pra, redaktoret e redaktorët, sesa i këtyre të fundit që, me sa duket, harrojnë se gjuha shqipe ka ca rregulla themelore, të cilat duhen respektuar nëse ata duan që komunikimi me masën e teleshikuesve të jetë sa më i efektshëm. Përgjegjësi ka edhe regjisori, pra, drejtori i informacionit.
Për ta mbyllur, dëshiroj të theksoj se, duke qenë i vetmi televizion publik në Shqipëri, TVSH-ja e ka për detyrë të natyrshme ta mbrojë pastërtinë e gjuhës shqipe (sigurisht, pa e penguar pasurimin e kësaj) në të mirë të ndërgjegjes kombëtare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri e kudo gjetkë jetojnë shqiptarë që flasin, mendojnë dhe ëndërrojnë në gjuhën e tyre amtare.
