Televizioni dhe fëmijët
Nga Elidon Dodaj
Fundjavën që shkoj e kalova para televizorit me nipat e mbesat, kjo nuk ndodh shpesh pasi duke qenë se jetojnë shumë larg qëndrimi me ta vlen më shumë se largimi në ndonjë nga plazhet e bregdetit tonë. Si çdo verë dukshëm vihet re se shqiptarët në emigrim kthehen tek prindërit për të kaluar disa ditë pushime me ta, pas një viti larg tyre me dëshirën për të kaluar disa ditë së bashku për të ndarë ato ditë të mira e të lodhshme që të ofron emigracioni. Po ashtu edhe ata që jetojnë këtu, të ngarkuar gjatë gjithë vitit nëpër punë me orare të tejet zgjatura tashme marrin disa ditë pushim për ti ndarë ato mes pushimeve dhe disa ditë me prindërit…
Ndër ato që më shumë shkojnë tek gjyshërit janë të vegjlit. Këta zakonisht kanë përfunduar shkollat që në ditët e para të qershorit, për të pasur një hapësirë tejet të madhe pushimesh dhe kryesisht pa ndonjë aktivitet publik tipi shkollë verore, kamp verorë, etj. Qëndrimi i tyre tek gjyshërit sado i gëzueshëm hera here nuk plotësohet nga dëshirat e tyre për dalje, ndonjë akullore apo nëpër ato pak parqe që kanë qytetet tona.
SI E PLOTËSOJNË FEMIJËT KËTË KOHË PUSHIMESH?
Kryesisht në qytet e mëdha, organizata të ndryshme organizojnë kampe verore falas, por ka edhe shkolla verore që organizohen nga biznesi privat që ka kryesisht arsimin privat angazhime deri edhe tetë orë kundrejt pagesave goxha të majme. Por, një pjesë fare e vogël e fëmijëve angazhohen në këto aktivitete. Aktivizimi i fëmijëve në këto tre muaj pushim do tia shtonte kreativitetin e tyre, por dukshëm diçka e tillë nuk po ndodh…
Shohim fëmijë që zakonisht qëndrojnë në shtëpitë e gjyshërve, aty të izoluar, para kopjuterave dhe televizorëve që nuk plotësojnë aspak tërësinë e tyre të munguar. Vijojnë të jenë në të njëjtën gangrenë sikur të dënuarit, mes muresh. Fati i madh do ti vij në qoftë se do të shoqërojnë gjyshërit për në treg, apo ndonjë vizitë tek shoqëria e tyre. Ofruesi më i madh dhe më gjigand që siç quhet botërisht nga të gjithë interneti, zakonisht nuk paraqet dhe nuk ofron ashtu siç ne duam të edukojmë fëmijët. Por, shpresa e vetme është televizioni. Edhe televizioni me mungesën e theksuar të programacionit për fëmijë gjithnjë e më shumë
ÇFARE I OFRON FËMIJËVE GJATË GJITHË VERËS TELEVIZIONI?
Po të zgjohesh në mëngjes, të gjitha kanalet televizive këta që shpërndajnë sinjalin nga Tirana, janë kryesisht shoqërues të gazetave dhe shtëpiakeve… Harrojnë se shikuesit më të zellshëm të verës janë fëmijët. Fëmijët të mësuar me regjimin ditor të shkollës, ato flenë herët dhe zgjohen po ashtu herët… e i sheh në këmbë që ne orën 8.00 të mëngjesit. Dhe, gjëja e parë që ato atakohen është televizioni, pulti dhe ndezja e tij. Njëherë i bëjnë një lëvizje nga i pari deri tek i fundi kanal. Kudo, gazeta, lajme, muzikë për të rritur, dhe për ta asgjë… Asgjë prej asgjëje. Dhe më qesharakja është se në këto emisione për të rritur, reklamat janë për fëmijë, kështu që hapësira e zaptuar nga programe me karakter informative, kuzhine, mode e sporti sponsorizohet nga produktet për fëmijë.
Mund të dalin kundër çdo moment programuesit e programeve televizive, por po ju them se jo vetëm fundjava është për fëmijët, gjatë gjithë sezonit verorë edhe fëmijët duhet të kenë hapësirën e tyre aq sa u takon, siç kanë të gjitha moshat. Është koha që drejtuesit e programeve të mos justifikohen më fitime personale të televizioneve, por të tregojnë se media e sidomos ajo televizive e cila është media më e gjerë (përpos asaj sociale) tu gjendet më pranë fëmijëve. Nuk është e thënë të krijojnë emisione për ta, pasi shumë syresh kanë dështuar që në ditët e para, por mund ta mbushin orarin e tyre më seriale të përkthyera lehtë jo vetëm vizatimore, por edhe për moshat e rritura, por që në brendësi karakteret e tyre janë fëmijët…
Koha për fëmijët është aq e vyer, pasi ato janë imituesit më të mirë dhe nga ky imitim (i cili jo vetëm që i serviret, vrasje, prerje, aksidente, luftë politike) përfitojnë më shumë pjesën më të errët të shoqërisë se sa marrin një edukim apo kulturë. Edukimi i tyre duhet të vijoj të jetë një nga parimet themelore të medias ku fëmijët të kenë mundësi të gjen hapësirat e tyre edukativo-shoqërore dhe të jenë po aq aktiv sa e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë dhe jo ta nisin ditën me pamje vizive live të vrasjeve, aksidenteve, etj…
Lë të blihen sa më shumë filma apo seriale për të rritur, por këto janë një dëm i madh që u bëhet fëmijëve, sepse zakonisht edhe kur ato shoqërohen nga prindërit janë pjesë e asaj çfarë ato preferojnë të imitojnë më shokët e tyre teksa grindesh apo luajnë nëpër oborret e shkollave apo të pallateve.