Froni i “kryeministrit të zgjedhur”
Thënia e Fridrih Niçes, sipas të cilit: “Të gjithë duan ta arrijnë fronin: kjo është marrëzia e tyre, sikur lumturia të qëndronte në fron! Shpesh herë balta rri mbi fron e shpesh edhe froni mbi baltë. Të gjithë këta për mua janë të çmendur dhe majmunë që kacavirren...”, pavarësisht se u adresohet të gjithë politikanëve, në realitetin e sotëm shqiptar, duket si më e përshtatshme për të karakterizuar politikanët e krahut të majtë, që e nisën “me forcë” dhe përfunduan “me votë” në krye të pushtetit. Por, nga i gjithë ky togfjalësh, shprehja: “Shpesh herë balta rri mbi fron e shpesh edhe froni mbi baltë”, është pa më të voglin dyshim diçitura më e gjetur për “frontin” dhe “fronin” fitues të së majtës, ku pretendenti i këtij froni, Edvin Rama, në delirin e “fitores së vjedhur”, dëshmoi marrëzinë e radhës, duke hapur “zyrën e kryeministrit të zgjedhur”!?...
Ndonëse në pamje të parë, një veprim e artikulim i tillë të bëjnë të shkrihesh gazit, duke hyrë më në brendësi apo në detaje; pra atje ku rri “djalli”, sipas filozofëve; të zë trishtimi, jo dhe aq për “frikën që ka në bark” Rama për “fronin” e kryeministrit, se sa për frikën që duhet të ndjejë gjithësecili prej nesh, nga ajo që ai ka në kokë. Nëse “frika që ka në bark”, se mos Meta ia rrëmben fronin, para se sa të vijë shtatori, lidhet vetëm me të si individ, frika që buron nga koka e tij ka pasoja për të gjithë popullin. Për të mos mbetur në konstatime e opinione të përgjithshme, të cilat rrezikojnë të mos vlerësohen si të drejta nga opinioni, mjafton të kujtojmë se Rama ka filluar ta përjetojë postin e “kryeministrit të zgjedhur” si një “lumturi” personale, duke harruar ende pa hipur mirë në këtë fron premtimet elektorale për “lumturinë shqiptare”, si: “shëndetësi e legalizime falas”, “95% e biznesit pa taksa”, “300 mijë vende të reja pune”, “drejtësi e ndershmëri në qeverisje”, etj, pasi këto lloj premtimesh nxirren njëra pas tjetrës nga komisioni i përbashkët PS-LSI për programin qeverisës të 300 ditëve të para dhe më tej, edhe të 4 viteve të para. Po kështu, frikë e pasiguri ngjall në popull, “i majtë” apo “i djathtë” qoftë ai, edhe fillimi i karrierës së tij si “kryeministër i zgjedhur” me prishje apo shkatërrim, pavarësisht se bëhet fjalë për ndërtime pa leje; pasi në këtë mënyrë ai dëshmon prirjen e filozofisë së tij të veprimit politiko-qeverisës në të ardhmen. Frikë e neveri ngjall për të gjithë ata, që kanë mend në kokë edhe deklarata e Ramës se: “Do ta bëjë bregdetin Jonian si Lana”(!?) Dikush mund të më kundërshtojë duke më thënë, se ai e kishte fjalën në kuptimin e prishjes së ndërtimeve pa leje, por problemi është tek “pjesa e dytë e lojës”; se ç’farë do ndërtojë në vend të “kioskave” të Bregdetit?!... Do ndërtojë skarpate me bar apo “brezare të gjelbra” si në kohën e Enverit, duke i lënë rrugët e asfaltuara të Berishës përgjatë gjithë Rivierës shqiptare, që të katandisen si kanalet e ujërave të zeza, të cilat furnizojnë Lanën; pra të mos shfrytëzohen me efektivitet për turizëm e zhvillim ekonomik, përkundër qëllimit për të cilën janë kryer këto investime apo do ta betonizojë atë, siç bëri me kryeqytetin kur ishte kryetar bashkie?!... Nga ana tjetër, nëse bregdetin Jonian do ta bëjë “Lanë”, me siguri që punonjësit e administratës profesionale do t’i shndërrojë në ish punonjës të “ndërmarrjes Komunale”, për t’i zëvendësuar, pastaj me të besuar partie, duke përdorur mekanizma “CV”-je e kështu me radhë. Ndërkohë është ende fillimi; madje fillimi në të menduar e jo në fronin e adhuruar.
Megjithatë, nëse perifrazojmë Koçin e “Zonjës nga qyteti” ai është ngjitur “një shkallë më lartë…”; jo se tashmë është bërë “skulptor”, që bën “kuaj me çizme…”, nga “piktor”, që dikur bënte “mullar me lecka”, por nga “çilimi” në politikë, këto ditë është bërë “adoleshent” në ekzekutiv. Kalimi tij nga “profesioni i dështuar” në politikën e adhuruar më kujton legjendën e gruas së një perandori, që me pohimin e saj të vërtetë në gjyq, mahniti të paditurit, joshi “të çmendurit” dhe fitoi simpatinë e të urtëve: “Tre kënaqësi kam provuar në jetë - tha në gjyq gruaja e të parit të vendit. -E para, kam qenë balerinë e klasit të parë. Kam përjetuar kënaqësitë e duartrokitjeve të spektatorëve, të cilat kaq më lumturonin sa e ndjeja veten në kulmin e saj. E dyta, kam qenë grua e emancipuar. Kam provuar të gjitha liritë që mund të gëzojë një grua e lirë, edhe ato të dashurisë dhe, m’është dukur vetja si në një ëndërr magjike. E treta, kam qenë politikane. Kënaqësia që të jep karriera politike qëndron më lart se të gjitha kënaqësitë. Kjo më shtyri të luftoj për të asgjësuar tim shoq dhe të bëhesha vetë e para e vendit. Po kur u përballa me drejtësinë dhe gjyqi mbaroi, më kërkuan të thosha fjalën e fundit… Me zë të drithëruar gri thashë: Lufta për fronin është madhështia e marrëzisë”. Aq më tepër kur këtë luftë e ka bërë dikur që ka qenë i marrosur dhe i baltosur ende pa u futur në politikë!?....