TemA TV/ Automjeti ndahet më dysh nga shpejtësia, humbasin jetën dy persona (VIDEO)
Një ngjarje e rëndë është shënuar në mesditë në rrugën Durrës- Shijak, në Xhafzotaj.
Dy persona kanë vdekur, ndërsa një i tretë është plagosur rëndë, në një aksident rrugor që ndodhi afër Katër rrugëve të Shijakut, në Xhafzotaj të Durrësit.
Për shkak të shpejtësisë së madhe, automjeti tip Mercedes Benz me targa DR 6165 D është përplasur me bordurën e rrugës, konkretisht me një nga strukturat mbajtëse të reklamave ndanë rrugës. Si pasojë e përplasjes, automjeti ka bërë disa rrotullime në ajër dhe është ndarë në dysh, duke nxjerrë jashtë tij trupat e dy viktimave që janë gjetur në distancë nga njëri-tjetri dhe nga pjesët e mjetit të shkatërruar plotësisht.
Policia e Durrësit që ka shkuar me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe ka bërë administrimin e saj deklaron se dy viktimat dhe i plagosuri që ndodhet ende në rrezik për jetën janë banorë të zonës, por ende nuk janë saktësuar zyrtarisht emrat e tyre. Paraprakisht dyshohet se drejtuesi i automjetit të përfshirë në aksidentin fatal ka qenë nën efektin e alkoolit të konsumuar më parë.