E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Beqja: Situata ekonomike, alarmante. Mungojnë 400 milion dollarë (VIDEO)

beqja

Sekretari për programin në PS-së, Ilir Beqja, i është përgjigjur kryeministrit në ikje, Sali Berisha, i cili lavdëroi në mbledhjen e sotme të qeverisë, situatën ekonomike.

Sipas Beqjes, situata ekonomike në fakt është alarmante, pasi deri në fund të vitit, pritet që buxhetit ti mungojnë 400 milion dollarë nga mosrealizimet e arkëtimeve.

Nuk është më lajm për askënd se gjendja e rëndë e financave publike dhe honi i thellë që po krijon keqadministrimi fiskal në Shqipëri, përbën një nga sfidat kryesore që do të adresohen nga qeveria e zgjedhur në 23 qershor.

Situata është e vështirë. Në 5 muajt e parë të vitit nga tatimet dhe doganat janë arkëtuar 150 milionë dollarë më pak se programi i fillimvitit.

Vetëm në muajin qershor mosrealizimi është shtuar edhe me rreth 50 milionë dollarë të tjerë. Me këto ritme, dhe duke pasur parasysh gjendjen e vështirë të ekonomisë, ekspertët tanë parashikojnë që mosrealizimi të arrijë në 400 milionë dollarë deri në fund të vitit.

Nuk mund të lihet pa përmendur edhe një tjetër shifër e rëndë:

Vetëm në 6 muajt e parë të vitit qeveria në ikje ka ezauruar plot 90% të deficitit buxhetor vjetor, ka thënë Beqja në një konferencë për shtyp.

Ai ka kërkuar nga ana e Ministrisë së Financave që të bëjë transparencë për situatën ekonomike dhe të tregohet e përgjegjshme në këtë periudhë.

Në këto kushte, me legjitimitetin dhe autoritetin që buron nga vota e plot 1 milion shqiptarëve që kanë votuar për qeverinë e koalicionit, i kërkojmë Ministrisë së Financave si ministri që ka përgjegjësinë jo thjesht morale, por edhe ligjore, të kujdestarisë mbi financave të shtetit shqiptar deri në betimin e qeverisë së re që:

Të bëjë publike sa më parë treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar për 6 muajt e parë të vitit;

Të ushtrojë detyrat ligjore në administrimin e mbledhjes së detyrimeve tatimore dhe doganore;

Të ndërpresë çdo lloj negociate në vijim për kontrata e projekte me financues të ndryshëm që rrisin borxhin e jashtëm të Shqipërisë.

Të garantojë që në periudhën 12 30 korrik 2013, gjatë së cilës do të bëhet upgrade i sistemit automatik të thesarit, të garantohen pagesat e ndihmës ekonomike, pagesat e përfitimeve të personave me aftësi të kufizuar, pagesat e pensioneve dhe pagesat e rrogave, përfundoi Beqja./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›