TemA TV/ Berisha: Modelin Rama-Kokëdhima Tirana e flaku në Lanë. Më 23 qershor, dita e gjykimit për ta (VIDEO)
Kryeministri Sali Berisha, ndërsa ka qenë i pranishëm në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Lis-Ura e Matit, ka sulmuar ashpër dyshen Rama-Kokëdhima.
Fillimisht Berisha ka thënë se Rama është bllokuesi i integrimit dhe për këtë arsye ai u ndëshkua nga ana e qytetarëve të Tiranës. Sipas Berishës, 23 qershori do të jetë dita e gjykimit për Ramën.
Cila është alternativa tjetër? Është mohim, mashtrim, bllokim. Bllokoi 3 ligje, rrahu gjoksin se bllokoi qindra kilometra rrugë që do të ishin shtruar me fondet e KE dhe hapjen e mijëra vendeve të punës, ndërtimin e dhjetëra ujësjellësve dhe shkollave të reja.
Modeli i tij është ai model për të cilin qytetarët e Tiranës i thanë rrotacion, largohu.
Zoti Rama, ne do të vazhdojmë, do ecim përpara për rrugë të reja, për shkolla, kanalizime, ujësjellësa, drejt integrimit. Ti bllokove 3 ligjet, por 23 qershori do të jetë dita e gjykimit. Je mësuar me disfata, por nga disfata në disfatë do shkosh, ndaj prite humbjen e radhës, tha Berisha.
Më pas ai ka vijuar akuzat e tij ndaj dyshes Rama-Kokëdhima, duke thënë se këtë model Tirana e flaku në Lanë.
Modeli i tij cili është? Modeli i tij është modeli për të cilin qytetarët e Tiranës i thanë rotacion, largohu nga Tirana. Ai kujton se do kthehet nga dritarja, kur Tirana e përcolli nga dera. Lexoni vetëm për 2 persona, për njërin kryesisht. Lexoni për Koço Kokëdhimën. A ju kujtohen ju çatitë që binin mbi kokat e nxënësve në shkollat e Tiranës? Ato ishin tendera të fituara nga Kokëdhima. Në Himarë, pallatet që i kanë zënë frymën qytetit janë nga Koço Kokëdhima. Reklamat e Tiranës Rama i ndau me Kokëdhimën. Zoti Rama po të them se qytetari i Tiranës e njohu modelin Rama-Kokëdhima, por ku e di ti që do e kapërdijnë qytetarët e Shqipërisë këtë model. Modelin Rama-Kokëdhima Tirana e flaku në Lanë. Je më i pashpresë së kurrë, u shpreh Berisha.
Tashmë në akuzat e tij të përditshme ndaj Ramës, Berisha ka shtuar edhe Kokëdhimën, duke e kthyer atë në simbol të goditjeve ndaj opozitës./b.l