E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Berisha: Rama, dhunë shtazarake ndaj diplomacisë, do ngremë komision hetimor (VIDEO)

berisha

Kryeministri Berisha ka lëshuar një sërë akuzash të rënda në drejtim të kryesocialistit Rama, duke thënë se ka dhunuar një prej diplomatëve më të përgatitur dhe më të sjellshëm shqiptar. Berisha tha se Rama ka probleme të rënda psikike, ndërsa ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për Ramën.

Jam këtu për të denoncuar një akt të paprecedentë dhe që përbën aktin më të rëndë ndoshta në tërë historinë diplomatike të Shqipërisë. Ka ndodhur një agresion i rëndë, i turpshëm, brutal dhe shtazor, që kryetari i PS-së i ka bërë njërit prej diplomatëve të rinj, më të përgjegjshëm dhe më të përgatitur të këtij vendi.

Unë dua të informoj shqiptarët se dje në një nga sallat më prestigjioze të Austrisë, tek zoti Rama mbante një konferencë, pasi thotë gjithçka dhe tregon trillimet dhe mashtrimet e tij për vendin tonë, ky zotëri, duke dalë, pasi mbyllet konferenca në të cilën zoti Rama humbi tërësisht kontrollin kur e pyetën për gjëra të ndryshme, dhunoi një diplomat.

Diplomati i ri, ndër më korrektët, më të përkushtuarit, më të civilizuarit, i shtroi pyetjen zotit Rama dhe i thotë: si ka mundësi që ju flisni në këtë mënyrë për vendin tuaj. Pyetjes që ju bë zoti Rama në sallë, pse nuk lejoni të votohet në ambasadë. Zoti Rama ju përgjigj nuk e lejoj, sepse diplomatët janë hajdutë votash.

Diplomati i ri i thotë se ne jemi këtu për të shërbyer, nuk jemi hajdutë, si mund të na thuash hajdutë.

Kjo mjaftoi që Rama ta qëllonte me grusht diplomatin e ri nën praninë e dhjetëra personave. Kjo mjaftoi që Rama ta shante atë në mënyrë rrugaçe nga familja. Kjo mjaftoi që Rama të dilte jashtë çdo kontrolli dhe pati një ndërhyrje të fuqishme nga të pranishmit, sepse donte të agresonte edhe më tej diplomatin e ri.

Ky rast i turpshëm dhe i përsëritshëm i tij, ka ndodhur edhe ndaj jush që jeni këtu, po juve mirë ua bën.

Por, unë këtu denoncoj këtë akt të turpshëm, këtë akt violent, brutal, amoral, të një njeriu që ose humbi çdo kontroll psikik, ose ishte nën efektin e dozave të mëdha. Cilado që të jetë, ky është akti më i turpshëm.

Ai është një nga djemtë më të sjellshëm në diplomacinë shqiptare.

Ju garantoj se kryetari juaj do të përfundojë aty ku e meriton. Për cilin thuhet për ju se ka rrahur gruan, se ka rrahur nënën si kafshë. Për asnjërin prej jush nuk thuhet. Këtë nuk e bën askush. Për të faktuar se ai humbet çdo kontroll, se ai ka probleme të rënda psikike, ose probleme overdoza, ai e tregoi dje në Vjenë.

Po qe se doni, urdhëroni një komision Hetimor për këtë rast. Është prekur me dhunë diplomacia. Ne do të urdhërojmë Komision Hetimor.

Zoti kryetar i grupit, propozoj që të ngrihet një Komision Hetimor për këtë akt të turpshëm. Ditën e hënë ky parlament voton komisionin hetimor parlamentar për të hetuar aktin e paprecedentë dhe të turpshëm, që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij shteti, tha Berisha në Kuvend.

Kurse kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi reagoi ndaj fjalës së Berishës duke i bërë thirrje që të shkarkojë diplomatin Egin Ceka. Ai akuzoi Berishën se i përdor diplomatët në botë si mitingashë.

E prita kryeministrin deri në fund të seancës se mos shprehte ndonjë gjë për ato probleme që ka vendi se qeveria dhe kryeministri në ikje, me vrap e shumë vrap, nxitohet të japë me koncesione aktivitete të dështuara deri tani që dhe nesër ti rrjepë shqiptarët. Të dështuara totalisht deri tani, kryeministri në ikje me vrap do të konsolidojë KLD, duke çuar Lulin e parlamentit në KLD dhe familjen e Lulit në KQZ dhe duke liruar vende në Gjykatën e Lartë, se ka tmerr, nesër që të jetë absolutisht i imunizuar nga drejtësia në gjykatën e shkallës së parë, në gjykatën e shkallës së dytë e të Lartë.

Se ligji nesër me institucione të kapura nga ty, një ditë thotë një postulat i vjetër, drejtësia vonon, po nuk harron. Ligji do vendoset, pandëshkueshmëria e ligjit do marrë fund, i politikanëve shqiptarë të korruptuar dhe inkriminuar, më kot përpiqesh nga ana tjetër vjen dhe anatemon ligjin dhe nuk do ishte ajo konferencë shtypi që bëri ministria e Jashtme, por shkarkimin e diplomatit që more në mbrojtje sot. Pse? Ai është lideri i opozitës dhe shkoi në një shtet dhe e priti krahu i atij shteti si përfaqësues të opozitës sot dhe kryeministër të Shqipërisë nesër, dhe e priti kreu i atij shteti që zotëria juaj ka 3 vjet që lutesh të të presë dhe stë pret. Tërbimi jot është që u prit nga krerë të Austrisë, që e takoi kreu i OSBE, për të zgjidhur ato probleme që ti i le lidhur, e zhvilloi aktivitet për të dhënë vizionin e tij mbi Shqipërinë dhe midis probleme të tjera shqiptarë të nderuar, Edi Rama dënoi, në përgjigje, nepotizmin dhe mungesën e profesionalizmit në trupin diplomatik shqiptar. Se emri që përmendi Rama ishte diplomat në Vjenë, dhe i ati diplomat në Romë. Ky djali, i biri i babait ambasador, nuk e honepsi dot, madje mësova se ai djali nuk kishte vajtur se nuk kishte vend atje, se po të kishte qenë përfaqësues diplomacie tamam, duhet të dilte që në aeroport ta priste, të rrinte në takimin me kryeministrin austriak. Ky është diplomati dhe jo diplomat që ti e përdor si mitingash, që e përdor për të prishur takimin dhe për ti dhënë një njollë turpi Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›