TemA TV/ Berisha: Rama e Meta të hedhin short për debat me mua. Su besoj sondazheve, por mitingjeve (VIDEO)
Kryeministri komenton nga Korça çështjen e KQZ-së, përplasjet me Topallin dhe një aleancë të mundshme paszgjedhore mes PD dhe FRD. Berisha thotë se administrata është e lirë të bëjë fushatë
Ndërsa ka qenë në Korçë për një përurim elektoral, kryeministri Sali Berisha ka mbajtur edhe një bashkëbisedim me gazetarët. Ai ka ironizuar opozitën gjatë fjalës së tij, duke thënë se pas bashkimit PS-LSI, ajo nuk ka më moral. Për këtë arsye, sipas Berishës, njerëzit nuk e duan këtë opozitë, ndryshe nga atë kur ishte në opozitë.
Formulimi i listës aq sa duket i thjeshtë, aq është i komplikuar, për shkak të përpjekjeve për përfaqësim dhe kësaj radhe kisha jo vetëm tre deputetë socialistë, por edhe 5 aleatë të mi. Unë nuk i lëviz marrëveshjes. Të gjithë pasojat e marrëveshjes i mbaj vetë dhe jo ata që negociojnë se ata kanë negociuar me mandatin. Këta zotërinj socialistë në një situatë të paprecedentë për vendin, se zoti Meta me të cilin kisha një marrëveshje për të qeverisur gjatë gjithë mandatit, dy muaj më parë e ndërpreu marrëveshjen. Unë kam po atë qëndrim që kam shprehur, por marrëveshjen ai e ndërpreu. A është kjo një gjë e rëndë? Nuk është dhe aq e rëndë, sepse mund ta ndërpriste më përpara, mund ta ndërpriste më pas, mund edhe të mos e ndërpriste, por këto janë vendime politike. Marrëveshja u ndërpre me një skenar, të rrëzojmë Sali Berishën në mënyrë që të shkojmë në një qeveri teknike. Injorancë e gjallë kushtetuese. Kushtetua e Shqipërisë nuk parashikon qeveri teknike. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon vetëm qeveri maxhorancën dhe politike. Kushtetuta italiane ka shkruar neni i qeverisë teknike. Këta zotërinj menduan se tani ju erdhi koha që të realizojnë një ëndërr të Edi Ramës që nuk e realizoi dot në 4 vjet. Normal sepse opozita këto ka. Pra, këta zotërinj socialistë menduan që të mos ta çojnë vendin në një fazë pasigurie sepse dalja në opozitë do i përgjysmoja në elektorat. Ju e dini vetë se si kam qenë në opozitë , se sa më donin mua njerëzit. Unë jam i vërtetë në opozitë dhe nuk bëjë makinacione, nuk e vendos Koçon në mes, ka thënë Berisha, ndërsa më pas i është përgjigjur edhe pyetjes se përse nuk del në debat me Ramën.
Berisha ka thënë se Rama dhe Meta duhet të hedhin tek a çift për të bërë debat me të.
Keni parë ju që do edhe zoti Meta debat. Të bëjnë tek a çift. Unë e kam ftuar 2 herë në debat. Unë kryeministër e ftoja, jo më thoshte. Të zgjidhin problemet që kanë me njëri- tjetrin. Një gjë kam me Metën. Nuk mundet që një ditë të flasë si qeveri dhe njëherë si opozitë, tha Berisha.
I pyetur për sondazhet, Berisha tha se PD nuk bën sondazhe.
Sondazheve, unë nuk u besoj. Por e ka thënë Ismail Kadare: nga lufta vijmë, në luftë shkojmë. Edhe unë nga, fushata vij, në fushatë shkoj. Ky jam unë. Unë kam ndjenjën, kam prekjen. Dua tju them se takimet si townhall-et, ne i kemi përdorur në fillim të viteve 91. Uleshin në tavolinë, na bënin pyetje dhe ne u përgjigjeshim një e nga një. E kam përdorur shumë rrallë, por në këtë formë nuk e kam përdorur asnjëherë. Kjo është një formë fushate, të cilën po e përdor si linjë kryesore për herë të parë. Ndodhi që erdhi ora ime, ta quaj kështu, mitingu dhe unë u befasova. Nuk prisja kurrë mitingje të atilla siç kam përjetuar në këtë hapje fushate dhe unë mbaj mend shumë mitingje, tha Berisha.
Sa i përket KQZ-së, Berisha tha se ata janë gati që të mblidhen dhe të votojnë anëtarët e opozitës.
I pyetur për përdorimin e administratës në fushatë, Berisha tha se në një vend të lirë, administrata ka të drejtë të padiskutueshme, përveç ushtrisë, policisë dhe SHISH, që të angazhohet në mitingje, pa shkelur orarin zyrtar.
I pyetur nëse po përpiqet që të dobësojë pozitat e kryetares së Kuvendit, Berisha tha: Çështë e vërteta, zonja Topalli është nënkryetarja e partisë, me një kontribut politik të çmuar për PD-në, por unë mendoj se si kryetare parlamenti, që nisi karrierën e saj në krye të parlamentit me një opozitë që hynte me bilbila, bori e trumbeta, ajo ka përballuar një punë të jashtëzakonshme.
Në fund, i pyetur nëse do bashkëpunojë me FRD-në pas zgjedhjeve, Berisha tha: Koalicionet paszgjedhore në vend të qytetëruar i dikton sovrani, ato nuk i dikton ti. Ty të takon të lexosh sovranin. Por një gjë është e sigurt, zoti Topi për arsye që i di vetë, ai u listua kryekëput me zotin Rama, sa që e votoi atë. Po ia ke dhënë votën, i ke dhënë zemrën, e kam fjalën për zemrën politike, se zemra ka shumë dimensione. Pra, zemrën politike ia dha zotit Rama dhe nuk kishte arsye ta bënte atë. Ai ishte një njeri që për shumë arsye nuk mund ta bënte një gjë të tillë, kurrë, sepse njeriu mund të zemërohet mund të mbajë inat, por pastaj ka disa gjëra më themelore. Kjo është e vërteta që ai zemrën politike ia dha Edi Ramës.