TemA TV/ Berisha akuzon Ramën se udhëton me autobus luksoz dhe se i ka bërë vetë gropat (VIDEO)
Kryeministri Berisha ka qenë gjatë ditës së sotme në Kukës, për të inaguruar rrugën për në Shishtavec. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka thënë se qeveria ka ndërtuar rrugë të shumta, të cilat mohohen nga ana e kryesocialistit Rama.
Sipas Berishës, Rama udhëton me autobusë luksozë dhe vrapon ku të gjejë ndonjë gropë.
Sot ka një alternativë tjetër, e cila mohon çdo gjë. Zoti Rama udhëton me një autobus luksoz në rrugë pa gropa dhe vrapon ku të gjejë një gropë. Del burri, 2 metër i gjatë, tek një gropë me Kujtim Qefalinë, deputetin e tij, në një komunë socialiste, e të vjen në mendje se i kanë bërë vetë gropat.
Zoti Rama, në Shqipëri janë ndërtuar rrugë në të katër anët. Vetëm në qarkun e Kukësit janë mbi 500 kilometra rrugë, rrugë kombëtare, rrugë rurale dhe të të gjitha llojeve. Por përsëri në Shqipëri, përsëri në Kukës, në Tropojë, në Përmet, në Berat, në Kolonjë ka qindra e qindra kilometra rrugë të paasfaltuara. Ajo çka u themi këtyre qytetarëve është se ne që asfaltuam gjatë këtyre viteve mbi 10 mijë kilometra rrugë, që asfaltuam mbi 8 mijë kilometër rrugë rurale të Shqipëri, kemi vullnetin, kemi zotimin dhe kërkojmë mbështetjen tuaj për të asfaltuar çdo kilometër rrugë, aty ku jetojnë shqiptarët, tha Berisha.
Ai ka vijuar akuzat ndaj Ramës, duke thënë se ai shkelmoi ëndrrën e shqiptarëve për të marrë statusin.
Duke bllokuar tre ligjet, zoti Rama shkelmoi ëndrrën e çdo të riu shqiptar, të cilët më statusin e kandidatit do të kishin të drejtë të aplikonin në universitetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me fee më të leverdishme dhe të punësoheshin atje për kohën që studionin. Ai shkelmoi interesat e të gjithë emigrantëve shqiptarë, të cilët me marrjen e statusit fitonin në vetvete në këto vende një status të ri, fitonin njohjen e viteve të pensionit. Me bllokimin e tre ligjeve, zoti Rama mori për vete vulën e bllokuesit, por Shqipërinë e privoi nga një pasaportë e shkëlqyer, pasaporta e vendit me status për vend anëtar në Bashkimin Evropian.
Zgjedhjet po vijnë dhe unë kërkoj mbështetjen tuaj, të miqve tuaj dhe të mbarë shqiptarëve që të votojnë me 23 qershor për projektin tonë evropian, të votojnë më 23 qershor në mënyrë që kurrë ndonjëherë tjetër ndokush të mos pengojë ëndrrën tonë evropiane, u shpreh Berisha./b.l