Agron Duka: Vij në këtë fushatë për të mos dëmtuar askënd
Kandidati i PR-së për deputet në qarkun e Durrësit, Agron Duka reagoi sot në lidhje me deklaratat e kryetarit të opozitës, Edi Rama, për mospërfshirjen e tij në listat e PS-së. Sipas Dukës, 23 qershori do të jetë përgjigja më e mirë për të gjithë.
Nuk kam dëshirë që në këtë fillim fushate elektorale të shpenzoj energji për ti kthyer përgjigje liderit socialist, Edi Rama mbi deklaratat e bëra mediatikisht. Synimi im në këtë fushatë është të mbështes elektoratin tim në Durrës, qoftë edhe nën logon e Partisë Republikane. Nuk kam dëshirë që të paragjykoj as veten dhe as kreun e PS-së, por kam ardhur me një qëllim, që qytetarët e Durrësit të kenë një zë të fuqishëm në parlamentin shqiptar. Vij në këtë fushatë për të mos dëmtuar askënd. 23 qershori do të jetë përgjigja më e mirë për të gjithë ne, theksoi Duka.
I pyetur gjatë një emisioni televiziv për vendimin për moskandidimin e Agron Dukës, kryesocialisti Rama u përgjigj: Për arsyen e thjeshtë sepse unë kam pasur mendimin se, dy kunetër në dy forca aleate, janë shumë nga pikëpamja e ngarkesës politike, pa hyrë në diskutim, që lidhet drejtpërdrejt me personin.