TemA TV/ Berisha i përgjigjet Ramës në Roskovec: Rruga është punësim, NATO është liri kombëtare (VIDEO)
Kryeministri Sali Berisha iu përgjigj dy prej deklaratave të kryetarit të opozitës, Edi Rama. Ky i fundit ka sulmuar faktin se për çdo problem të Shqipërisë, Berisha ofron rrugët si zgjidhje. Po ashtu Rama ka deklaruar se anëtarësimi në NATO nuk është se u jep punë shqiptarëve.
Duke folur nga Roskoveci, Berisha tha se NATO është liri kombëtare, kurse për rrugët, tha se ato garantojnë punësimin.
Ne do marrim statusin dhe do hapim negociatat me Bashkimin Europian. Po pala tjetër? Ju jeni dëshmitarë që para 3 ditësh u deklaroi shqiptarëve se NATO-ja është natë. Dua ti them këtij zotërie se NATO-ja është liri kombëtare e garantuar përjetësisht, është prestigj i madh për shqiptarët, siguri madhore e tyre, është vende pune, mirëqenie, është e ardhmja. Në kohën kur do merrnim vizat, bënin gjithçka me protesta për të bllokuar heqjen e vizave. I mbajti peng 3 ligjet, të cilat në fund u detyrua ti votojë. Ne duam votën tuaj sepse ne duam të krijojmë 250 mijë vende pune. Ne krijojmë vendet e punës sepse me reformat tona, bizneset e vogla u rriten me 80 përqind dhe bizneset e mëdha deri në 200-300 përqind. Ne krijojmë vende pune sepse ne hoqëm taksën mbi çdo lloj kapitali dhe mbi çdo lloj makineri për biznesin, tha Berisha.
Shoku në autobus premton se do heqë TVSH-në për 5 produkte bujqësore. Kjo është falimentim i fermave tuaja, kjo do të thotë që mishi i Brazilit, që prodhohet me një kosto shumë të lirë dhe me çmimet pa TVSH, do të eliminojë interesat tuaja për të rritur bagëtitë për mish. Kjo do të thotë që qumështi juaj të mos shitet për shkak të çmimit. Alternativa tjetër flet vetë. Padituria nuk është kurrë argument. Unë i them zotërisë që ti s`ke arritur të kuptosh se rruga është punësim. Sepse ne në ndërtimin e rrugëve kemi punësuar shqiptarët. Pasi aty ku shkon rruga, aty shkon shpresa. Sepse ndërtuan rrugë, u ngritën biznese. Unë i them shokut të autobusit, dil nga autobusi që ta kuptosh që pa rrugë të mira nuk ka shërbim shëndetësor të mirë. Ne zotohemi që do ju mbrojmë ju, do mbrojmë prodhimet tuaja dhe do tu japim para në dorë për akcizën e naftës, TVSH-në e gjithë inputeve, farërave dhe fidanëve, vijoi Berisha./ep