E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Berisha mban të njëjtin fjalim prej 22 vitesh: Kundërshtarin e kemi komunist (VIDEO)

May-13-22-47-431Ironitë e një mitingu: Ndërsa prisnin të dëgjonin çfarë ka bërë Berisha në tetë vite, kryeministri vetëm sulmon kundërshtarin. Berisha e quan kundërshtarin komunist dhe ngjit në skenë Kastriot Islamin. Jozefina nuk mban fjalim, por tradhtohet nga fytyra gjatë fjalës së Bashës. Partia Socialiste kishte paralajmëruar se në këtë miting do merreshin vetëm me Edi Ramën dhe ashtu ndodhi

Zor të besohet, por është e vërtetë. Fjalimi i kryeministrit Sali Berisha në nisje të fushatës zgjedhore për 23 qershorin ishte i njëjti që dëgjojnë shqiptarët prej dy dekadash nga ai njeri, me disa ndryshime të vogla.

Edhe vetë kryeministri, më i lodhur, i plakur dhe i kërrusur, nuk ishte ai që e mbante ritmin e fjalimit deri në fund. Madje, madje, shpesh sheshi nuk e dëgjonte, pak a shumë si fjalimin patetik të Halim Kosovës për maternitetin Mbretëresha Geraldinë.

Pasi mbërriti në shesh me makinë, Sali Berisha qëndroi poshtë skenës, në krah të Jozefina Topallit, e cila nxinte gjatë kohës që fliste Lulzim Basha dhe Majlinda Bregu.

Topalli nuk ishte protagoniste në këtë ceremoni ku folën Lulzim Basha, Jorida Tabaku, Halim Kosova dhe Majlinda Bregu.

Më pas doli në skenë Berisha, që siç ka bërë këto dekada, tha se kundërshtari i tij personifikon komunizmin.

Alternativa tjetër ka faktuar se nuk është shkëputur nga trashëgimia e saj, nga ajo trashëgimi që bëri gjithçka që ta vendosë kombin jashtë hapësirës perëndimore.

Ajo alternativë në 20 vite bëri gjithçka për të bllokuar integrimin në Këshillin e Europës, bëri gjithçka për të bllokuar MSA-në, bëri gjithçka për të bllokuar anëtarësimin në NATO, bëri gjithçka për tu lënë ju pa viza, ajo alternativë bëri gjithçka për të privuar shqiptarët nga pasaporta e shkëlqyer e statusit të vendit kandidat.

Ajo alternativë sot me cinizëm e quan veten Aleanca e Shqipërisë Evropiane. Kjo është e vërtetë sa çështë i vërtetë zotimi i 1 prillit, tha Berisha.

Nuk dihet se si ka reaguar Kastriot Islami ndaj sulmit të Berishës, por kryeministri ishte aq i varfër në fjalim, sa sërish përsëriti se alternativa tjetër është komunizmi.

Më 23 qershor përballen dy filozofi: qëndrimi ynë, që ka në thelb, që synon lirinë tuaj, besimin e pakufishëm tek iniciativa juaj e lirë, pasuria e saj. Ne besojmë se gjithçka ka arritur Shqipëria në këto 20 vite e ka prej jush si arkitektë të vërtetë.

Alternativa tjetër është alternativa, e cila kërkon të bëjë Shqipërinë të punojë për qeverinë. Është alternativa e besimit tek diktati shtetëror, tek diktati qeveritar, e taksave të larta, e ngushtimit të hapësirave të iniciativës së lirë, tha Berisha.

Kryeministri tha se Ramës rrotacionin e tretë do ia bëjë Tirana.

Zoti Basha, demokratët e Tiranës dhe të Shqipërisë të falenderojnë ty për rrotacionin që i bëre zotit Rama. Herën e dytë miqtë e mi, rrotacionin e dytë, ia bëri Koço Kokëdhima. Të tretin do ia bëjë Tirana, do ia bëjë Shqipëria.

Do fillojmë fushatën më të civilizuar, fushatën e vlerave, fushatën që do të bindë çdo qytetar shqiptar, pavarësisht nga përkatësia partiake se ne jemi ndryshimi. Përpara, përpara, përpara! tha Berisha./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›