TemA TV/ Basha çel fushatën e PD-së: Ramën e kemi armik (Rusmali smerr pjesë) (VIDEO)
Partia Demokratike ka nisur fushatën zgjedhore për 23 qershorin, me një miting të varfër në emocione në sheshin Nënë Tereza.
Ashtu siç ka ndodhur rëndom këto ditë, kur Lulzim Basha është shfaqur si një nga njerëzit kryesorë të fushatës, mitingun e ka hapur ai, duke ofruar modelin e tij të qeverisjes si një garanci për mazhorancën.
Edhe pse puna e tij nuk ndjehet e nuk shihet askund, Basha deklaroi në miting se Edi Ramën tani e tutje e ka armik, pasi më parë kishte thënë se nuk e ka armik. Basha tha se Rama do i bllokojë atij projektet.
Kur deklarova kandidimin, thashë se Edi Rama nuk është armiku ynë. Kisha uruar gjatë kësaj kohe që të kisha të drejtë.
Por çfarë mund të them sot kur ai bllokoi integrimin evropian? Sot mund të ishim kandidatë për anëtarësimin në BE dhe qytetarët do përfitonin nga kjo mundësi.
Por çfarë është dikush që i mohon vendit ecjen përpara? I mohon zhvillimin?
Ky njeri nuk është dhe nuk mund të jetë miku i Tiranës, ai nuk është miku i Tiranës, ai nuk është miku i Shqipërisë.
Përpara se të bllokonte Shqipërinë, kishte bllokuar Tiranën, kishte bllokuar projektet madhore e madje edhe sot kërcënon se do të bllokojë projektet që do nisim me qeverinë e kryeministrit Sali Berisha, tha Basha.
Në fund të fjalës së tij, kryebashkiaku me zë të çjerrë tha se tiranasit do votojnë kundër modelit privat të qeverisjes së Ramës.
Është i njëjti model që i dhamë lamtumirë dy vite më parë. Por sot, ashtu si dy vite më parë, qytetarët kanë mundësi të zgjedhin integrimin në BE, kanë mundësi të zgjedhin zhvillimin e vendit, kanë mundësi të zgjedhin një politikë që në qendër ka qytetarin, shqetësimet dhe problemet e tij, tha Basha.
Duket se misioni dhe pasioni i tij është bllokimi. Ju do zgjidhni më të mirën, Berishën, PD. Fitore, përpara, përpara! tha Basha.
Më pas në skenë janë ngjitur kandidatët e Partisë Demokratike për kryeqytetin.
Demokratët në shesh janë detyruar të bërtasin për emra si Asllan Dogjani dhe Kastriot Islami.
Por në skenë nuk është ngjitur Ilir Rusmali, që është shmangur nga lista fituese e PD-së./ep