TemA TV/ Majlinda Bregu: Koalicioni i pazareve dhe më amorali, po luan bllofin me 3 ligjet e statusit (VIDEO)
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë një konference për shtyp ka akuzuar PS-LSI se janë duke luajtur bllofin me tre ligjet e statusit. Sipas saj, me këto tre ligje, koalicioni i pazareve dhe më imorali që kanë njohur shqiptarët, është duke u përpjekur të gjejë një kamerdare shpëtimi.
Koalicioni i pazareve, i gjendur në pikën më të lartë të amoralitetit përballë elektoratit të vet dhe gjithë shqiptarëve, po vazhdon të luajë bllofin me 3 ligjet e integrimit.
Pa asnjë ide, pa asnjë projekt dhe pa asnjë kauzë të shëndetshme, dyshja e koalicionit të pazareve po kërkon një kamerdare shpëtimi nga anija që po mbytet, e që askush nuk e di se kë ka për kapiten.
Duke e ditur shumë mirë:
-se nuk kanë sy e faqe tu dalin përpara fermerëve, të cilëve, me bllokimin për tre vjet e 230 ditës të statusit, u hoqën miliona euro subvencione;
-se nuk kanë sy e faqe tu dalin përpara studentëve që u mohuan qindra bursa studimi për në BE;
-se nuk kanë sy e faqe ti dalin përpara biznesit që i mohuan mundësinë e miliona eurove kreditim;
-duke mos pasur sy e faqe tu dalin përpara mjekëve e mësuesve shqiptarë, që u hoqën mundësinë për qindra kualifikime në vendet e Bashkimit Europian;
-duke mos pasur sy e faqe tu kërkojnë falje të gjithë shqiptarëve për këto tre vjet e 230 ditë pengmarrje të ëndrrave dhe prosperitetit të tyre, kjo dyshe ka paturpësinë dhe pafytyrësinë të vazhdojë me tallje dhe bllofe, sikur janë ata të interesuarit e mëdhenj të votimit të 3 ligjeve të integrimit, ka thënë ajo.
Sipas saj, shqiptarët dhe ndërkombëtarët kanë parë arsye nga më absurdet nga ana e opozitës, për refuzimin e votimit të tre ligjeve.
Shqiptarët kanë vetëm këtë vit, 230 ditë që e shohin se Partia Demokratike dhe Qeveria shqiptare i kanë bërë me qindra apele, ditë pas dite dhe orë pas ore, koalicionit të pazareve, për ti votuar 3 ligjet, kur të duan dhe si të duan.
Janë jo vetëm shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët që kanë parë e dëgjuar gjatë këtyre tre vjetëve e 230 ditëve pretekste dhe justifikime absurde të njëpasnjëshme të opozitës, që edhe pse kanë rënë njëra pas tjetrës, nuk e bindën kurrë opozitën në parlament, për të votuar 3 ligjet.
Ashtu si për tre vjet e 230 ditë me radhë, ftojmë edhe njëherë opozitën ti lërë mënjanë, një herë të vetme bllofet dhe pazaret në kurriz të shqiptarëve, u shpreh ajo.
Bregu ka thënë se Rama duhet ti lërë qarjet dhe barsoletat dhe tu kërkojë falje shqiptarëve e të votojë tre ligjet.
Edi Rama, pasi ti kërkojë publikisht falje qytetarëve për dëmin e madh që u ka bërë imazhit, mirëqenies dhe prosperitetit të tyre, këto tre vjet e 7 muaj, tí sjellë të tijtë në parlament dhe ti votojë 3 ligjet, për të ndihmuar jo vetëm shqiptarët, por për të çliruar edhe vetveten nga sindroma e bllokimit dhe shtrëngicës politike, që po e detyron të futet në këto zgjedhje vetëm me një platformë: atë të bllofeve, farsave e barsoletave.
Pra me platformën, që vetëm Edi Rama e njeh mirë, atë të humbjes. Sepse shqiptarët nuk kanë nevojë për barsoleta e qaramanë, por për punësim, mirëqenie e integrim, përfundoi Bregu./b.l