E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Meta: Berisha ta heqë nga mendja prekjen e zgjedhjeve. Me Bashën kam miqësi (VIDEO)

META2Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke folur për gazetarin Sokol Balla në Top Story, tha se Berisha ka ndërmend që të shkatërrojë zgjedhjet. Madje ai thotë se prishja e KQZ-së është ajo që i dëmton më së shumti zgjedhjet.

Me tone të ashpra ndaj ish- aleatit, Meta tha se ai kërkon të ketë kontroll absolut mbi çdo institucion.

Por Meta tha se Berisha duhet ta kuptojë se shumica është në popull.

E majta është shumicë, pavarësisht historive problematike të saj, tha Meta, duke shtuar se opozita është e bindur se do të garantojë një rrotacion.

Kreu i LSI u shpreh se opozita është në gjendje që të mbrojë votat e qytetarëve, por paralajmëroi kryeministrin Sali Berisha.

Nëse ka kurajo, le ta provojë. Ta heqë nga mendja Berisha, opozita nuk mund të kthehet në vitin 1996. Rezultatin e humbjes nuk e ndryshon dot, edhe sikur të paguajë miliona për Podesta Group, që falsifikoi sot edhe deklaratën e Departamentit të Shtetit. Ndryshimi do të ndodhë, tha Meta.

Berisha do lërë si trashëgimi prishjen e zgjedhjeve, që nuk i takojnë për një kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s, theksoi ai.

Meta tha se çështja më e rëndësishme e integrimit janë zgjedhjet. Ai shtoi se Berisha shpik çudira, kur thotë se opozita do manipulojë zgjedhjet.

Duke folur për ndryshimin e balancave në këshillat bashkiakë, Meta tha se gjërat ndryshuan pas votimit në Kuvend. Më përpara Meta kishte deklaruar se marrëveshja me Lulzim Bashën dhe vendorët kudo në Shqipëri nuk do prishej.

Ne kemi qenë plotësisht të sinqertë në angazhimin tonë për të mos i politizuar institucionet. Por gjërat kanë ndryshuar shumë pas këtij atentati ndaj zgjedhjeve të lira. Për ne prapë qytetarët do jenë të parët. Do rritet dhe forcohet transparenca, tha Meta.

Meta shmangu përgjigjen se përse ka qëndruar gjatë me Lulzim Bashën përpara se ti deklaronte Berishës largimin nga qeveria, por pranoi se me të ka miqësi.

Nuk kam pasur asnjë marrëveshje me Bashën. Marrëveshja ime ka qenë me Berishën, theksoi megjithatë kreu i LSI.

I pyetur nëse Berisha është burrë shteti apo diktator, Meta tha: Berisha është në një provë të madhe tani për tiu afruar njërës ose tjetrës./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›