TemA TV/ Meta: Të votojmë 3 ligjet, të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve. Jemi më shumë se 9% para të djathtës (VIDEO)
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka bërë sërish thirrje që të votohen tre ligjet e integrimit. Në Ditën e Europës, Meta tha se këto ligjet duhen miratuar tani që të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve.
Ndaj sot, në këtë ditë të rëndësishme, në Ditën e Evropës, gjej rastin të ftoj edhe një herë kryetarin e Partisë Demokratike, në mënyrë të veçantë, z. Berisha, kryetarin e Partisë Socialiste, z. Rama. dhe kolegë të tjerë që të takohemi, të shkëputemi 5 minuta nga fushata elektorale dhe të takohemi deri të enjten në orën 10:00 për të bashkërenduar miratimin e këtyre tre ligjeve, në mënyrë që ti përgjigjemi edhe kësaj kërkese të vazhdueshme të Bashkimit Evropian edhe të mbarë qytetarë shqiptarë me seriozitet dhe përgjegjshmëri dhe duke hequr dorë nga shkëmbimet e tepërta të akuzave të cilat nuk prodhojnë progres në drejtim të marrjes së statusit të vendit kandidat. Nuk ka nevojë më retorikë por ka nevojë për qartësi, për përgjegjshmëri dhe për kompromis të bazuar në shpirtin proevropian të popullit shqiptar, tha Meta.
Duke komentuar sondazhin e institutit Piepoli, që e nxjerr të majtën 9 pikë përpara të djathtës, Meta tha se ata janë shumë më përpara.
Jam i bindur se Aleanca për Shqipërinë Evropiane është edhe më shumë se 9% përpara koalicionit të djathtë. Sipas shpjegimeve që u dhanë nga përfaqësuesit e këtij instituti prestigjioz, anketimet ishin zhvilluar disa javë përpara. Gjërat kanë ndryshuar shumë dhe Aleanca për Shqipërinë Evropiane po ecën më shpejt, tha Meta./ep